SHBA-ja dhe Japonia dënojnë veprimet e Kinës dhe Rusisë: Veprime destabilizuese!
Shtetet e Bashkuara dhe Japonia akuzuan Pekinin për “veprime destabilizuese” në Detin e Kinës Jugore, ndërkaq po ashtu dënuan bashkëpunimin ushtarak në rritje të Rusisë me Kinën dhe Korenë e Veriut.
Në Tokio, më 28 korrik u takuan sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, dhe ai i Mbrojtjes, Lloyd Austin, me homologët e tyre japonezë.
Në deklaratën e përbashkët ata “përsëritën kundërshtimin e fundit të pretendimeve të paligjshme detare të Kinës, militarizimin dhe aktivitetet kërcënuese dhe provokuese në Detin e Kinës Jugore”.
Veprimet “destabiliziuese të Kinës në këtë rajon përfshijnë takime të pasigurta në det dhe ajër, përpjekje për të penguar shtetet e tjera të shfrytëzojnë burimet në det të hapur si dhe përdorimin e rrezikshëm të anijeve të Rojës Bregdetare dhe të milicive detare”, u shtua në komunikatë.
Uashingtoni dhe Seuli akuzuan Kinën se po “intensifikon përpjekjet që në mënyrë të njëanshme të ndryshojë status quo-në me forcë në Detin e Kinës Lindore”, duke shtuar se “politika e jashtme e Kinës po tenton të ndryshojë rendin ndërkombëtar për të përfituar vet në kurriz të tjerëve”.
Po ashtu, SHBA-ja dhe Japonia shprehën shqetësim “për zgjerimin e shpejt të arsenalit bërthamor” të Kinës, që sipas këtyre dy shteteve po bëhet pa transparencë se çfarë qëllimi ka shteti me zgjerimin e arsenalit.
Në deklaratë po ashtu u shprehën shqetësime lidhur me rritjen e bashkëpunimit ushtarak strategjik të Rusisë me Kinën “përmes operacioneve të përbashkëta dhe stërvitjeve të përbashkëta afër Japonisë dhe mbështetjes së Kinës për bazën industriale të mbrojtjes të Rusisë”.
Uashingtoni dhe Seuli po ashtu dënuan “thellimin e bashkëpunimit mes Rusisë dhe Koresë së Veriut, që dëshmohet nga blerja e raketave balistike dhe materialeve të tjera nga Koreja e Veriut që përbën shkelje të rezolutave [të Kombeve të Bashkuara] për përdorim kundër Ukrainës”.
Bliken dhe Austin janë takuar me ministren e Jashtme të Japonisë, Yoko Kamikawa, dhe ministrin e Mbrojtjes, Minoru Kihara. Këto bisedime synojnë rritjen e bashkëpunimit mes Tokios dhe Uashingtonit në përgjigje të shqetësimeve që paraqet Kina në rajon.