Ndryshimet në qeveri, seanca e Kuvendit shtyhet për nesër!
Në mbledhjen e grupit parlamentar socialist, deputetët u njoftuan se seanca plenare do të shtyhet për nesër. Gazetarja e Top Channel, Elda Menga, mëson se shkak për shtyrjen është se Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, ende nuk i ka dekretuar ndryshimet në qeveri. Ndërkohë, burime nga Presidenca bëjnë me dije se këto ndryshime janë në proces verifikimi para se të marrin firmën e Kryetarit të Shtetit.
Kryeministri Edi Rama propozoi ndryshime në ekzekutivin që drejton. Dje, gjatë fjalimit para Kongresit të Partisë Socialiste, Rama tha se menjëherë do t’i dorëzojë presidentit Bajram Begaj propozimet e tij, që prekin ministritë e Brendshme, Mbrojtjes dhe Financave.
Taulant Balla do të lërë drejtimin e Ministrisë së Brendshme e është propozuar të marrë drejtimin e asaj për Marrëdhëniet me Parlamentin. Në vend të Ballës, në Ministrinë e Brendshme, Rama ka propozuar Ervin Hoxhën.
Po ashtu u propozua që të largohet ministri i Financave, Ervin Mete dhe vendi i tij t’i kalojë Petrit Malajt.
Ndërkaq, Niko Peleshi u propozua të largohet nga posti i ministrit të Mbrojtjes duke u zëvendësuar nga Pirro Vëngu.
Për postin e kryetares së Kuvendit, Rama ka propozuar Elisa Spiropalin, e cila deri më tani ka drejtuar Ministrinë për Marrëdhënie me Parlamentin.
Kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla dha dorëheqje nga ky post, të premten e kaluar.
Ndërkaq, nënkryetarja aktuale e Kuvendit, Emonela Felaj është propozuar të largohet dhe në vend të saj të vijë Bledi Çuçi, aktualisht kryetar i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste.
Që ndryshimet të miratohen, duhet të mbahet një seancë e posaçme e Kuvendit, e cila është shtyrë për nesër.
Kush janë ministrat e rinj?
Ervin Hoxha, që pritet të marrë drejtimin e Ministrisë së Brendshme, deri tani ka mbajtur postin e drejtorit të Inspektoratit Kombëtar për Mbrojtjen e Territorit, IKMT. Për më shumë se 20 vjet ai ka shërbyer në funksione të ndryshme nga niveli ekzekutues deri në nivelet më të larta te drejtimit në institucione qendrore dhe ligjzbatuese të shtetit shqiptar si: Ministria e Mbrojtjes, Ministria e Brendshme, Policia e Shtetit, Ministria e Financave, Ministria e Drejtësisë.
Drejtimin e Ministrisë së Financave pritet ta marrë Petrit Malaj, deri sot drejtor i Agjencisë Kombëtare të Burimeve Natyrore, AKBN.
Në krye të Ministrisë së Mbrojtjes është propozuar Pirro Vëngu, i cili aktualisht mban postin e kreut të Autoritetit Portual në Durrës. Më herët ka qenë drejtor i Antikorrupsionit në Kryeministri.
Gjatë fjalës së gjatë në Kongresin e PS-së, kryeministri Rama kritikoi disa deputetë, pa i përmendur me emra, për të cilët tha:
Kanë takime me zgjedhësit vetëm për të bërë fotografi apo për të shoqëruar kryeministrin në aktivitete të ndryshme.
Po ashtu, Rama paralajmëroi se do të ketë një ekip të ri socialist për zgjedhjet e vitit të ardhshëm.