Xhudo, sportisti nga Kosova, Akil Gjakova vazhdon garën në Olimpiadë!

vovalbania July 29, 2024 0 koment 1 Mund të lexoni në minuta.
Xhudo, sportisti nga Kosova, Akil Gjakova vazhdon garën në Olimpiadë!

Xhudisti nga Kosova, Akil Gjakova fitoi në raundin e parë të garës në Olimpiadën e Parisit, duke mposhtur brazilianin Daniel Cargnin në kategorinë deri në 73 kilogramë. Tashmë, pritet që në raundin e radhës, ai të përballet me austriakun, Samuel Gassner.

Më herët gjatë ditës, xhudistja Nora Gjakova u eliminua po në raundin e parë të garës ndërsa Distria Krasniqi, fitoi medalje të argjendtë, një ditë më parë. Si Nora, ashtu edhe Distria patën triumfuar duke medalje të arta në Tokio të Japonisë, në Lojërat Olimpike të vitit 2021.

Në total, Kosova ka grumbulluar tre medalja të arta e një të argjendtë. Majlinda Kelmendi ishte e para, e cila i pati siguruar Kosovës medaljen e artë, në lojërat “Rio 2016”.

Olimpiada e Parisit ku Shqipëria përfaqësohet me 8 sportistë, mes tyre atletja e rekordeve, Luiza Gega,  nisi me një spektakël magjik, më 26 korrik, pra tre ditë më parë. Lojërat Olimpike të Parisit u hapën në një pasdite plot shi, me një ceremoni të jashtëzakonshme dhe me ngjyra në zemër të kryeqytetit francez, duke kulmuar me ndezjen e flakës olimpike. Shiu i rrëmbyeshëm nuk e zbehu humorin e atletëve që parakaluan me varka në Senë.

Monumentet e Parisit si katedralja “Notre Dame”, Luvri e Pont Neuf u shfaqën dukshëm në një show luksoz, teksa Franca shpalosi kulturën dhe historinë, nga revolucioni i vitit 1789 te “Les Misérables” i Viktor Hygos, duke u bërë gjithashtu homazhe atyre që rindërtuan katedralen “Notre Dame”-it, pas shkatërrimit në zjarrin e vitit 2019.

Lady Gaga performoi një këngë kabare franceze me kërcimtarë dhe Céline Dion këndoi “L’Hymne à l’amour” nga Kulla Eiffel, që disa minuta më parë ishte vendi i një shfaqjeje gjigante me drita, performanca e saj e parë në vite pasi u diagnostikua me Sindromin e Personit të Ngurtë.

Por, nuk munguan dhe incidentet. Organizatorët e Olimpiadës së Parisit i kërkuan falje Koresë së Jugut pasi delegacioni i tyre u emërua Republika Popullore Demokratike e Koresë, në transmetimin televiziv maratonë të ceremonisë së hapjes në lumin Senë, një ditë më parë.

Republika Popullore Demokratike e Koresë është emri zyrtar i Veriut komunist. Dy Koretë janë ndarë që nga Lufta Koreane e viteve (1950-53). Të dy shtetet aziatike janë të ndara nga një zonë e çmilitarizuar dhe një traktat i përbashkët paqeje nuk është nënshkruar kurrë.

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 65804 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE