Zjarret, aktive vatra te fusha e mbetjeve Vlorë/Por, situatë më e përmirësuar!

vovalbania July 29, 2024 0 koment 1 Mund të lexoni në minuta.
Zjarret, aktive vatra te fusha e mbetjeve Vlorë/Por, situatë më e përmirësuar!

30 vatra zjarri janë raportuar në 24 orët e fundit, nga të cilat 22 janë shuar, pas një pune të pandërprerë të forcave operacionale, nën koordinimin e Agjencisë së Mbrojtjes Civile. Ministria e Mbrojtjes, MM informoi sot lidhur me situatën nga zjarret në vend.

MM bëri të ditur se, është shuar edhe vatra e zjarrit në fshatin Malecaj të bashkisë Lezhë për të cilën u angazhuan prej ditësh forcat e pushtetit vendor të mbështetura nga Forcat e Armatosura. Por, thekson MM, vijojnë të jenë aktive ditën e sotme zjarret në vendgrumbullimin e mbetjeve të Bashkisë Vlorë, ku ditën e sotme situata paraqitet e përmirësuar.

Zjarri në fshatin Torovicë të bashkisë Lezhë, ditën e sotme vijon me intensitet të ulët, janë angazhuar për shuarjen e tij shërbimi zjarrfikës dhe struktura vullnetare.

Zjarri në fshatin Mal Shëngjin, ku ditën e djeshme është arritur vënia nën kontroll e tij, por si pasojë e erës së fortë është përkeqësuar sërish.

MM shton se, po vijojnë operacionin ditën e sotme strukturat vendore të mbështetura nga Forcat e Armatosura.

Gjithashtu, bëhet e ditur se, po punohet edhe për shuarjen e zjarrit në fshatin Zogaj, bashkia Tropojë dhe pjesërisht në bashkinë Has, ku janë angazhuar ditën e sotme strukturat vendore të dy bashkive të mbështetura nga Forcat e Armatosura.

Aktive janë vatrat në fshatin Hoten, bashkia Vau Dejes, në bashkinë Fushë Arrëz, në fshatin Xhathe, i cili dje mori përmasa të menjëhershme si pasojë e erës së fortë. Vijon edhe këtu operacioni i strukturave vendore, mbështetur nga efektivët e FA.

Në vatrën e zjarrit në fshatin Zavalinë, në Elbasan dje u bë e mundur shmangia e rrezikut të kalimit të zjarrit në kurorën e pishave edhe me angazhimin e FA. Po ashtu po punohet edhe në një tjetër vatër në bashkinë Maliq, fshati Lozhan-Bode.

MM përsërit thirrjen për banorët, që të raportojnë në kohë pranë strukturave vendore çdo vatër që konstatojnë, në mënyrë që të parandalohet përhapja  në sipërfaqe më të gjera.

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 63941 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE