Gara presidenciale në SHBA, Kamala Harris: Muajt e ardhshëm do të jenë betejë serioze!
Në një stadium të mbushur plot e të zhurmshëm në Xhorxhia të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, zv.presidentja Kamala Harris e cila duket se e ka të sigurtë kandidaturën demokrate për presidente, përballë rivalit republikan, Donald Trump, tha se muajt e ardhshëm do të jenë një betejë serioze dhe pranoi se në këto momente, demokratët janë të dobëtit, por e siguroi turmën se do të fitojnë në zgjedhjet e 5 nëntorit.
Kemi një betejë përpara nesh, vuri në dukje kandidatja e mundshme për presidente. Ritmi në këtë garë po ndryshon dhe ka shenja se Donald Trump-i po e ndjen një gjë të tillë.
Pak më shumë se një javë më parë, Xhorxhia dukej se po dilte nga kontrolli i demokratëve. Ekipi elektoral i presidentit Joe Biden u zotua të përqendrohej më shumë në mbajtjen e shteteve ku tradicionalisht votojnë demokratët e shfaqi tregues se mund të ishin të gatshëm të mos përqëndroheshin më shumë në shtete të tjera.
Por, tani që presidenti Joe Biden u largua nga gara dhe zv.presidentja Kamala Harris është kandidatja e mundshme, demokratët po shprehin shpresa të reja për një hartë të zgjeruar zgjedhore dhe e mirëpritën zv.presidenten në shtetin që i dha Biden-it diferencën e tij më të ngushtë të fitores në vitin 2020 përballë Trump-it.
Harris u shpreh se kur ajo të zgjidhet do të punojë për të firmosur një ligj të rëndësishëm në lidhje me emigracionin dhe për t’i treguar ish-presidentit Donald Trump se si duket “një udhëheqës i vërtetë”.
Salla e basketbollit me kapacitet prej rreth 8 mijë vendesh në Universitetin Shtetëror të Xhorxhias ishte mbushur me mijëra votues që tundnin banderola e kërcenin në një atmosferë që nuk do të ishte e mundur vetëm 10 ditë më parë, me Partinë Demokrate përfshirë nga dyshimet nëse presidenti 81-vjeçar Biden do të vazhdonte të kandidonte pas një paraqitjeje të zymtë që shtoi shqetësimet për moshën dhe aftësitë e tij mendore.