Nën presion nga akuzat, në SHBA largohet drejtuesi i “Projektit 2025”!

vovalbania July 31, 2024 0 koment 2 Mund të lexoni në minuta.
Nën presion nga akuzat, në SHBA largohet drejtuesi i “Projektit 2025”!

Jep dorëheqje drejtuesi i “Projektit 2025” në Fondacionin Heritage, ku parashtrohej vizioni për një reformim të plotë të qeverisë federale. Lajmin e dha fondacioni konservator. Në një deklaratë të presidentit të tij, Kevin Roberts, thuhet:

Largimi i zotit Paul Dans vjen pasi projekti përmbushi pikërisht atë çfarë synoi: të mblidhte së bashku mbi 110 organizatat kryesore konservatore, për të krijuar një vizion të unifikuar konservator, të motivuar për t’ia pakësuar pushtetin shtetit të pazgjedhur administrativ dhe për t’ia rikthyer popullit.

Ky lajm erdhi pasi kandidati republikan për president Donald Trump është distancuar gjithnjë e më shumë nga “Projekti 2025”, ndërsa janë shtuar sulmet nga demokratët. U krijua spekulimi se ishte ekipi elektoral i ish-presidentit Donald Trump që e detyroi Dansin të largohej.

Në muajt e fundit, demokratët e patën bërë “Projektin 2025” një temë të fuqishme elektorale, duke e paraqitur planin ultrakonservator si një shembull se sa ekstreme do të ishte një administratë e dytë Trump. Plani me 1 mijë faqe paraqet ndryshime të thella në qeverinë federale, përfshirë ndryshimin e rregulloreve për t’u siguruar që punonjësit e qeverisë të jenë më besnikë ndaj presidentit.

Por, Trump është distancuar vazhdimisht nga ky dokument, duke thënë se nuk e ka lexuar dhe se nuk ka njohuri për të. Gjatë një tubimi në Miçigan më herët këtë muaj, deklaroi se “Projekti 2025” është shkruar nga njerëz nga “e djathta e ashpër” dhe se disa prej gjërave në të janë “seriozisht ekstreme”.

Në një deklaratë të këshilltarëve të tij zgjedhorë, Susie Wiles dhe Chris LaCivita thuhet:

Ekipi elektoral i presidentit Trump ka qenë shumë i qartë për mbi një vit se “Projekti 2025” nuk kishte asnjë lidhje me ekipin elektoral, nuk fliste në emër të tij dhe se nuk duhet bashkëlidhur në asnjë mënyrë me fushatën apo presidentin.

Njoftimet për rënien e “Projektit 2025” do të ishin shumë të mirëpritura dhe duhet të shërbejnë si një paralajmërim për këdo apo cilindo grup që përpiqet të hiqet sikur ka ndikim te presidenti Trump apo ekipi i tij elektoral se nuk do t’iu dalë mirë.

Përfaqësuesit e ekipit elektoral të ish-presidentit nuk iu përgjigjën pyetjeve nëse ekipi elektoral kërkoi apo nxiti largimin e Dansit nga drejtimi i këtij projekti. Fondacioni Heritage tha se Dans u largua vullnetarisht dhe se nuk pati presion nga ekipi elektoral i Trump-it. Dans nuk iu përgjigj menjëherë kërkesës nëpërmjet postës elektronike për të dhënë një koment.

Ekipi elektoral i zv.presidentes Kamala Harris u shpreh se “Projekti 2025” vazhdon të jetë i lidhur me axhendën e ish-presidentit Trump. Menaxherja e fushatës elektorale të Harris-it, Julie Chavez Rodriguez:

Fshehja e 920 faqeve nga populli amerikan nuk e bën atë më pak të vërtetë. Në fakt, duhet t’i bëjë votuesit edhe më të shqetësuar se çfarë tjetër fshehin Trump-i dhe aleatët e tij.

Faqja në internet e “Projektit 2025” do të vazhdojë të funksionojë dhe ky grup do të shqyrtojë historikun e rreth 20 mijë kandidatëve për zyrtarë të qeverisë, që do të ishin të gatshëm të zbatonin vizitonin e këtij grupi për qeverisjen.

Grupi njoftoi se operacionet e “Projektit 2025” do të drejtohen nga vetë presidenti i fondacionit.

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 65737 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE