Venezuelë, opozita vijon protestat kundër rezultatit të presidencialeve!

vovalbania July 31, 2024 0 koment 2 Mund të lexoni në minuta.
Venezuelë, opozita vijon protestat kundër rezultatit të presidencialeve!

Mijëra venezuelas u mblodhën sërish në protesta paqësore për të mbështetur opozitën, një ditë pasi 11 persona vdiqën dhe dhjetëra të tjerë u plagosën në protestat kundër fitores së kontestuar në zgjedhje të presidentit Nicolas Maduro. “Liri, liri” dhe “Nuk kemi frikë”, ishin disa nga sloganet që protestuesit brohoritën në kryeqytetin venezuelas, Karakas, teksa liderët opozitarë po insistojnë se kanë fituar bindshëm zgjedhjet.

Teksa po rriten thirrjet ndërkombëtare që Këshilli Kombëtar Zgjedhor të publikojë rezultatet e detajuara të zgjedhjeve të 28 korrikut e që Këshilli tha se i fitoi Maduro, presidenti u është përgjigjur thirrjeve ndërkombëtare me kërcënime. Sipas tij, opozita duhet të mbahet përgjegjëse për “dhunën kriminale, të plagosurit, të vdekurit dhe shkatërrimin” që lidhen me protestat.

Por, organizata joqeveritare për të drejtat e njeriut, Foro Penal u shpreh se të paktën 11 persona, përfshirë dy minorë janë vrarë në atë që kreu i kësaj organizate, Alfredo Romero, e cilësoi si “krizë e të drejtave të njeriut”. Ai deklaroi se dhjetëra të tjerë janë plagosur dhe u arrestuan të paktën 177 vetë.

Të hënën, forcat e sigurisë përdorën plumba gome e gaz lotsjellës ndaj protestuesve, të cilët pretenduan se opozita ka fituar. Opozita kundërshton vlerësimin e autoriteteve se Maduro ka fituar zgjedhjet me 51% të votave kur 44% i ka fituar Edmundo Gonzalez Urrutia.

61 vjeçari Maduro ka drejtuar shtetin e pasur me naftë që nga viti 2013. Gjatë kësaj kohe, Venezuela është përballur me krizë ekonomike që ka shtyrë më shumë se 7 milion nga 30 milion banorët e vendit të largohen nga shteti. Ai akuzohet se hesht kritikat dhe sulmon opozitën.

Qendra “Carter” me seli në Shtetet e Bashkuara e që monitoron zgjedhjet presidenciale deklaroi se zgjedhjet në Venezuelë nuk plotësuan standardet demokratike, duke bërë thirrje për publikimin e rezultateve zgjedhore sipas qendrave të votimit.

Zgjedhjet presidenciale në Venezuelë nuk plotësuan standardet ndërkombëtare të integritetit zgjedhor dhe nuk mund të konsiderohen demokratike.

Sondazhet e pavarura kishin parashikuar që Gonzalez Urrutia, 74 vjeç, do të fitonte zgjedhjet me një diferencë të madhe. Kur Maduro u shpall fitues, mijëra persona protestuan në disa qytete të Venezuelës.

Të paktën dy statuja të Hugo Chavezit, socialistit të ndjerë autoritar që udhëhoqi Venezuelën për më shumë se një dekadë dhe zgjodhi Maduron si pasues të tij, u rrëzuan. Dje, prokurori i Përgjithshëm, Tarek William Saab tha se 749 “kriminelë” u arrestuan gjatë protestave dhe përballen me akuza për mosbindje të urdhrave apo “në raste më serioze edhe me akuza për terrorizëm”. Ndërkaq, ushtria ka raportuar se 23 ushtarë u plagosën e një u vra gjatë trazirave.

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 65791 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE