Zgjedhjet në Himarë, testohen pajisjet e identifikimit elektronik të zgjedhësve!

vovalbania July 31, 2024 0 koment 1 Mund të lexoni në minuta.
Zgjedhjet në Himarë, testohen pajisjet e identifikimit elektronik të zgjedhësve!

Ashtu siç kishte paralajmëruar, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, KQZ, sot zhvilloi testimin operacional të pajisjeve të identifikimit elektronik të zgjedhësve (PEI), që do të përdoren në zgjedhjet pjesshme për kryetarin e Bashkisë Himarë e që zhvillohen këtë të diel, më 4 gusht.

Për identifikimin e zgjedhësve do të implementohet Sistemi Elektronik i Identifikimit të Votuesve (SEIV) dhe do të përdoren Pajisje Elektronike të Identifikimit (PEI) të vendosura në 36 qendra votimi, të cilat pritet që të sigurojnë identifikimin e saktë të zgjedhësve, bazuar në regjistrin elektronik të mbajtur në pajisje.

Në mënyrë rastësore u përzgjodhën 3% e pajisjeve për të testuar përputhshmërinë e kritereve nga KQZ-ja, në raport me atë çfarë ofrojnë pajisjet. Simulimi i procesit në këtë test operacional verifikon disa elementë:

Nëse një votues i përket asaj qendre votimit, nëse një votues tenton që të votojë më shumë se një herë apo edhe nëse një votues është në qendrën e gabuar të votimit. Gjithashtu, rastet e veçanta që lidhen me komisionerët apo zgjedhësit që paraqiten me vendim gjykate.

Procesi i identifikimit elektronik do të përfshijë të njëjtat parime identifikimi sikurse është kryer në kushte manuale. Në ditën e votimit, zgjedhësi do të paraqitet në qendrën përkatëse ku ka emrin për të votuar e duhet të paraqesë një letërnjoftim ose pasaportë biometrike, për t’u identifikuar përmes pajisjes PEI. Përveç dokumentit të identifikimit, duhet që të lërë edhe gjurmët daktiloskopike (shenjat e gishtërinjve), të cilat do të shërbejnë për evidentuar rastet e votimit të paligjshëm.

Ndërkaq, po sot, Komisioni Rregullator miratoi disa ndryshime në vendimin e Komisionit Rregullator, “Për miratimin e udhëzuesit të punës për Komisionet e Zonave të Administrimit Zgjedhor dhe Grupet e Numërimit të Votave për zgjedhjet për organet e qeverisjes vendore”.

Ndryshimet e miratuara kanë për qëllim të detajojnë detyrat dhe mënyrën e funksionimit të KZAZ-së dhe të anëtarëve të Grupit të Numërimit të Votave gjatë procesit të numërimit të votave dhe nxjerrjes së rezultatit të zgjedhjeve për zgjedhjet e pjesshme për kryetarin e bashkisë dhe për këshillin e bashkisë.

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 65689 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE