Ngadalëson aftësinë për të menduar, një tjetër problem serioz që vjen me ngritjen e temperaturave!
Studimi më i ri i Universitetit të Harvardit tregon që temperaturat e larta ndikojnë në aftësinë tonë të të menduarit në mënyrë të qartë dhe racionale. Kur mendojmë për valët e të nxehtit të muajve të verës dhe ndikimin e tyre në trup, imagjinojmë rënie të presionit të gjakut, dhimbje koke, marrje mendsh, etj.
Por, një studim i bërë në 44 studentë, ka hulumtuar reaksionet e tyre ndaj testeve verbale matematikore gjatë valëve 12-ditore të vapës e cila ka përfshirë Bostonin. Rezultatet e hulumtimit të publikuara në revistën “Plos Medicine” kanë treguar që studentët u janë përgjigjur pyetjeve më ngadalë.
Përqindja e gabimeve është rritur për 13 % te studentët të cilët kanë fjetur pa aparate të rregullimit të temperaturës, në krahasim me 24 studentë të cilët kanë fjetur në vende të freskëta. Në dhomat me pajisje për rregullimin e temperaturës, ajo ishte 21,4 gradë Celsius, ndërkaq në vendet pa aparate të tilla, ishte rreth 26,3 gradë.
Studiuesit nuk e dinë pse nxehtësia ndikon në njohjen dhe emocionet tona, por ka disa teori. Rezultatet e studimit do të duhet të merren parasysh, në një botë të karakterizuar nga efektet e ngrohjes globale dhe ku përdorimi masiv i sistemeve të ajrit të kondicionuar vetëm sa përkeqëson emetimet e gazeve serrë.
Rikujtojmë se, kur temperatura rritet, po ashtu rritet edhe shkalla e vetëvrasjeve, krimit dhe dhunës. Në këtë përfundim po dalin studiuesit dhe mjekët, duke parë provat gjatë periudhave të nxehtësisë ekstreme. Psikologët kanë vërejtur se përgjithësisht ka një gjuhë të shtuar urrejtjeje dhe agresioni në rrjete sociale, gjatë valëve të të nxehtit. Veç këtyre shtohet shumë edhe ankthi e depresioni. Mjekët dhe shkencëtarët kanë filluar të zbulojnë ndërveprimin kompleks midis nxehtësisë ekstreme dhe shëndetit mendor.