Zjarret në vend, 6 vatra aktive në Maliq, Kurbin, Lezhë, Elbasan e Tiranë!

vovalbania August 01, 2024 0 koment 2 Mund të lexoni në minuta.
Zjarret në vend, 6 vatra aktive në Maliq, Kurbin, Lezhë, Elbasan e Tiranë!

Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile, AKMC informon se 33 vatra zjarri janë shuar gjatë 24 orëve të fundit, nga 39 të raportuara. 6 vatra mbeten aktive në pesë fshatra të bashkive Maliq, Kurbin, Lezhë, Elbasan e Tiranë, si dhe në Malin e Kakarriqit. Për fat të mirë, ato nuk paraqesin rrezik për zonat e banuara. Në operacionet për shuarjen e flakëve është përfshirë dhe një helikopter Cougar krahas mjeteve për ndërhyrjen nga toka.

Sipas të dhënave nga Qendra Kombëtare Operacionale e Emergjencave Civile vijojnë të jenë aktive ditën e sotme zjarret në: zonën pyjore Bode, Bashkia Maliq, fshatin Skuraj, bashkia Kurbin, Malin e Kakarriqit, bashkia Lezhë, fshatin Gjadër, bashkia Lezhë, fshatin Zavalinë, bashkia Elbasan dhe fshatin Kus, bashkia Tiranë.

Për shuarjen e plotë edhe të këtyre zjarreve janë duke punuar sot strukturat e pushtetit vendor të mbështetura nga ato në nivel qendror. Aktualisht vatrat nuk paraqesin rrezik për zona të banuara. Në operacionet e fundit për shuarjen e vatrave morën pjesë rreth 1400 forca operacionale me 75 mjete si dhe helikopteri Cougar.

AKMC-ja i bën thirrje qytetarëve të raportojnë në kohë në numrat e emergjencave për çdo problematikë. Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile do të vijojë pa ndërprerje ndjekjen e situatave dhe do të angazhojë të gjitha kapacitetet në nivel kombëtar dhe ndërkombëtar.

Zjarri që shpërtheu një ditë më parë në Evian Qendrore po vazhdon që të përhapet në Greqinë fqinje. Flakët nisën në fshatin Pissonas e me shpejtësi u zhvendosën drejt Afratit, duke djegur pyje me pisha dhe toka bujqësore. Ndërsa përdorën mjete të ndryshme me ndërhyrje nga toka dhe ajri, zjarrfikësit u përpoqën të frenonin zjarrin në mal. Por, erërat e forta kanë intensifikuar flakët që u kthyen në rrezik të lartë.

U lëshua një urdhër evakuimi për fshatin Afrati. Forcat zjarrfikëse janë angazhuar në zonë për të mbrojtur banesat. Përforcime pritet të vijnë nga Greqia Qendrore, Atika e Thesalia. Zjarri ra dje rreth orës 13:47 në fshatin Pissonas dhe po lëviz drejt jugut. Erërat e forta veriore, po krijojnë fronte të reja zjarri.

Për lokalizimin e shuarjen e zjarrit po punojnë 120 zjarrfikëse me 5 ekipe tokësore, 40 automjete, 11 avionë e 6 helikopterë. Ujësjellës dhe makineri nga Organizatat e Pushtetit Vendor janë duke dhënë mbështetje, teksa në terren qëndrojnë të vendosura dhe forcat policore greke.

Koordinimi i të gjitha forcave të mbrojtjes civile po menaxhohet nga qendra e lëvizshme operative “Olympus”.

 

 

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 64065 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE