Shtohen turistët nga Kosova në bregdetin shqiptar, radhë të gjata në hyrje dhe dalje të Muriqanit!
42580 persona kanë hyrë dhe kanë dalë përmes pikës së kalimit kufitar të Muriqanit, në Shkodër në 48 orët e fundit.
Fluksi vazhdon të jetë në rritje gjatë këtyre ditëve, ku me 31 korrik dhe 1 gusht mbi 12 mijë shtetas në ditë janë futur në Shqipëri. Pjesa më e madhe e tyre janë emigrantë, shtetas nga Kosova dhe turistë të huaj.
Ndryshe nga vitet e kaluara, sivjet bie në sy edhe një rritje e numrit të qytetareve që dalin nga Shqipëria, përmes pikës së kalimit kufitar të Muriqanit.
E njëjta situatë me rritjen e fluksit të hyrje daljeve është edhe në doganat e tjera të Hanit të Hotit, Grabomit dhe Gërcarit.
Por, numri i lartë i vizitorëve ka sjellë trafik kilometrik në hyrjen e qytetit të Shkodrës. Automjetet nga qyteti, dogana e Hanit të Hotit, Muriqanit dhe pika turistike e Shirokës, bashkohen të gjitha në një rrethrrotullim dhe në urën e vjetër të Bahçallekut duke sjellë pritje dhe radhë.