Votimi për kryebashkiakun e Himarës, problematikat e para!
Deri në orën 08:00 të mëngjesit, në Himarë kanë votuar 2.71% ose 563 nga mbi 23 mijë zgjedhës në listën e QV të raportuara për të zgjedhur kryetarin e bashkisë. Në garë janë Vangjel Tavo i Partisë Socialiste dhe Petro Gjikuria i opozitës. Pritet që të dy kandidatët të votojnë në orën 10:00. Ndërkohë në KQZ është raportuar që votimi në dy QV në Kuç ka nisur me një orë vonesë.
Eshtë raportuar se në disa QV ka pasur debate mes komisionarëve nëse do të lejohen të votojnë apo jo votuesit me karta ID të skaduara. Sipas sekretarit të KZAZ-së 88 në Himarë, deri tani janë 70 votues që nuk kanë arritur të votojnë për shkak të kartave ID të skaduara.
Komisionerët kanë marrë udhëzime që mos të lejohen të votojnë ata me karta ID të skaduara, ndërkohë në Himarë Fshat vazhdon i pezulluar votimi për shkak të këtij problemi deri në një përgjigje nga KQZ-ja.
Në Himarë aplikohet vetëm identifikimi elektronik dhe qendrat monitorohen me kamera. Pas mbylljes së votimit pritet të nisë dhe numërimi i votave. Dënimi i Fredi Belerit me 2 vite burg nga Apeli i Gjykatës së Posaçme i hapi rrugë zgjidhjes së ngërçit në Bashkinë e Himarës ndërsa KQZ-ja i hoqi mandatin si kryebashkiak i Himarës.
Zgjedhjet e pjesshme në Himarë u shpallën brenda pak orëve, në një koordinim vendimesh mes Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, KQZ, Kryeministrisë e Presidentit të Republikës, procedura që u kontestuan në gjykatë nga Fredi Beleri. Ky i fundit kërkoi rrëzimin e dekretit të presidentit Bajram Begaj për shpalljen e zgjedhjeve se sipas tij, ende nuk kishte kaluar afati i ankimit të vendimit të KQZ-së, por kërkesa e bërë nuk u pranua duke iu rrëzuar nga Gjykata Administrative e Tiranës.
Me dy kryetarë në burg, fillimisht, Bashkia e Himarës u drejtua nga nënkryetarja Blerina Bala, e cila më pas u dorëhoq dhe aktualisht në krye të institucionit është Arqile Bollano. Me zgjedhjet e ditës së sotme dhe shpalljen e rezultatit të tyre pritet t’i jepet fund paqartësive lidhur me drejtimin e që do t’i besohet një emri mes Vangjel Tavos dhe Petro Gjikurisë.