Zgjedhjet në Himarë, reagimi nga burgu i Fredi Belerit!

vovalbania August 04, 2024 0 koment 2 Mund të lexoni në minuta.
Zgjedhjet në Himarë, reagimi nga burgu i Fredi Belerit!

Pasi humbi mandatin e kryebashkiakut të Himarës, Fredi Beleri, i dënuar me dy vjet burg për korrupsion në zgjedhje reagoi për zgjedhjet e sotme për drejtuesin e bashkisë dhe i uroi suksese kandidatit të opozitës, Petro Gjikuria, i cili ka përballë rivalin socialist Vangjel Tavo. Në një postim në rrjetet sociale, në greqisht, Beleri shkruan:

Zemra ime është në Himarë ku sot pjesëtarët e minoritetit etnik grek po luftojnë luftën përfundimtare për demokracinë dhe të drejtat e tyre. Nga qelia e burgut shqiptar ku po qëndroj prej 425 ditësh, mendimet e mia gjithë ditën do të jenë me vëllezërit e mi e të gjithë ata që kuptojnë se shteti ligjor dhe demokracia,  nuk janë të negociueshme.

Me të gjithë ata që më kanë shprehur simpatinë dhe më kanë qëndruar pranë gjatë këtij kalvari. Me të gjithë ata që nuk u përkulën përballë metodave të puçit e logjikës parademokratike e sot do ta vërtetojnë edhe një herë.

Suksese nga zemra Petros Gikouria! Jam i sigurt që duart e tij do ta udhëheqin të sigurt Bashkinë tonë ditën e nesërme.

Referuar pjesëmarrjes së votuesve, deri në orën 11:00 ishte 17.26% sipas të dhënave të 29 nga 36 qendra votimi. Pra, deri më 11:00 hodhën votën 3 mijë e 358 zgjedhës nga mbi 23 mijë gjithsej në Himarë. Ndërkaq, u raportua se shkoi në rreth 200 numri i votuesve në Himarë që për shkak se nuk i kanë rinovuar kartat ID, nuk mund të votojnë për të zgjedhur kreun e bashkisë mes socialistit Vangjel Tavo e kandidatit të opozitës, Petro Gjikuria.

Pasi votoi, Tavo ftoi qytetarët me të drejtë vote, të zgjedhin projektin dhe alternativën më të mirë për Himarën e himariotët. Lidhur me problematikën e votuesve me karta identiteti të skaduara e që kërkojnë të votojnë, Tavo u shpreh se nuk është çështja e tij, por shtoi se mbi ligjin nuk mund të dalë askush. Për Gjikurinë, i cili shprehu besimin në fitore, çështja e këtyre kartave është “problem”.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve reagoi për personat me karta ID të skaduara që nuk lejohen të votojnë në Himarë. KQZ-ja sjell në vëmendje se nuk është organi kompetent për shtyrjen e afateve të vlefshmërisë të dokumenteve të identifikimit. Për zgjedhësit mbi 75 vjeç, kjo vlefshmëri është pa afat.

Dega në Himarë e Omonias, organizatës së minoritetit grek  hedh akuza për qeverinë e thekson se me mos njohjen e kartave ID të skaduara, privohen nga votimi, mbi 6 mijë qytetarë. “Në total, nga 23074 zgjedhës të regjistruar, 6157 janë apriori të privuar nga e drejta e zgjedhjes me vendim dhe përgjegjësi të Qeverisë Rama”, thotë Omonia.

 

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 65812 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE