Kërcënimet nga Irani, SHBA i garantojnë mbështetje të fortë Izraelit!
Në një bisedë telefonike me homologun izraelit, Joav Gallant, sekretari amerikan i Mbrojtjes, Lloyd Austin e siguroi për mbështetjen e hekurt të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në rast të një sulmi hakmarrës nga Irani. Pentagoni njoftoi:
Ata diskutuan gjithashtu lëvizjet amerikane për të përmirësuar mbrojtjen e forcave, për të forcuar aftësitë mbrojtëse të Izraelit, si dhe për të frenuar tensionet në rajon. Po ashtu, Austin shprehu mbështetjen e tij në lidhje me një armëpushim në luftën e Gazës dhe një marrëveshje për lirimin e pengjeve të mbetur në Rripin e Gazës.
Tensionet në rajon janë rritur sidomos pas vrasjes së komandantit të lartë të Hezbollahut, Fuad Shukr në Bejrut, si dhe shefit të Hamasit, Ismail Haniyeh në kryeqytetin iranian, Teheran.
Nën dritën e kërcënimeve të fundit të Republikës Islamike mbi një sulm ndaj Izraelit është e pasigurt se kur dhe si mund të ndodhë hakmarrja e plotë. Udhëheqja iraniane dhe milicia e Hezbollahut në Liban, aleati i vjetër i saj, vazhdimisht i janë referuar “ditëve të ardhshme”.
Por nuk vonoi shumë dhe grupi militant libanez, Hezbollah kreu sulm me dronë sot në veri të Izraelit ndërsa ushtria izraelite deklaroi se dy ushtarë të saj u plagosën gjatë goditjes që po vjen në kohën kur është rritur frika për një konflikt rajonal.
Javën e kaluar u vra një komandant i lartë i Hezbollahut në Liban dhe në Republikën Islamike të Iranit u vra udhëheqësi politik i Hamasit, grupit palestinez të shpallur “terrorist” nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Europian.
Përmes një njoftimi, Hezbollahu që mbështetet nga Irani u shpreh se ka shënjestruar një bazë ushtarake në veri të Izraelit, në përgjigje të “sulmeve dhe vrasjeve” të kryera nga shteti hebraik në disa fshatra në jug të Libanit.
Sulmi nuk duket se është pjesë e një kundërpërgjigje të ashpër që pritej lidhur me vrasjen e komandantit të Hezbollahut, Fouad Shukur në Bejrut. Ushtria izraelite njoftoi se shërbimet e zjarrfikësve punuan që të lokalizonin e shuanin zjarrin që shpërtheu si pasojë e sulmit në Ajelet Hashahar.
Izraeli dhe Hezbollahu kanë shkëmbyer të shtëna me armë pothuajse çdo ditë, që kur nisi lufta në Gaza mes Izraelit dhe Hamasit, më 7 tetor të vitit të kaluar.