Zgjidhet misteri 400 milionë vjeçar te bimët me gjemba!
Një familje e lashtë gjenesh është përgjegjëse për prodhimin e gjembave në rreth njëzet specie bimore që nuk janë të lidhura me njëra-tjetrën, nga trëndafilat klasikë deri te disa lloje perimesh. Zbulimi është bërë falë një ekipi kërkimor të udhëhequr nga Cold Spring Harbor Laboratory në Shtetet e Bashkuara dhe është publikuar në revistën Science.
Gjembat janë struktura që rrjedhin nga inde të ndryshme bimore, duke përfshirë gjethet, kërcellin dhe rrënjët. Ata kanë evoluar në mënyrë të pavarur në shumë specie bimore gjatë 400 milionë viteve të fundit. Disa shërbejnë për të larguar barngrënësit, duke qenë të fortë dhe të dhimbshëm për ata që i hanë, por disa janë aq të buta sa që një kafshë e uritur mund t’i përtypë pa probleme. Përveç kësaj, gjembat në bimë të tjera mbajnë ujin. Megjithatë, pavarësisht se kanë funksione të ndryshme, të gjithë kanë një morfologji të ngjashme.
Ideja për të hetuar origjinën e tyre gjenetike dhe evolucionare i erdhi biologut amerikan, James Satterlee, gjatë një vizite në kopshtin ku profesori i tij rriste domate, patate dhe patëllxhanë. Duke parë gjembat e këtyre bimëve, studiuesi vendosi të bënte një analizë në shkallë të gjerë dhe, në bashkëpunim me një grup kërkimor spanjoll, arriti të gjurmonte një familje gjenesh, të quajtur Log, e cila është përgjegjëse për prodhimin e hormonit të citokininës. Ky zbulim do të ndihmojë në kuptimin e evolucionit që bëri që specie të ndryshme të zhvillojnë tipare të ngjashme, plotësisht në mënyrë të pavarur.