Komandanti i KFOR-it bisedon me shefin e ushtrisë serbe për gjendjen e sigurisë në Kosovë!
Komandanti i misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR, Ozkan Utulash, u takua të mërkurën me shefin e Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Serbisë, Millan Mojsilloviq, në Beograd, për të biseduar për gjendjen e sigurisë në Kosovë, tha ushtria serbe.
Në një komunikatë për media, Forcat e Armatosura të Serbisë thanë se ky ishte një takim i rregullt i nivelit të lartë, ku u bisedua edhe për bashkëpunimin mes ushtrisë serbe dhe KFOR-it “në detyrën tonë të përbashkët për krijimin e një mjedisi të sigurt” në Kosovë.
“Një bisedë u zhvillua gjithashtu për veprimet e ndërmarra nga Forcat e Armatosura të Serbisë dhe nga forcat ndërkombëtare në provincë, për vëzhgimin e gjendjes në terren, parandalimin e krijimit të ndonjë krize dhe për të ofruar përgjigje efikase, në rast se siguria kërcënohet”, thuhet në komunikatë referuar veriut të Kosovës.
Ata u pajtuan se është e nevojshme të vazhdohet “bashkëpunimi i mirë”, duke e parë se gjendja e sigurisë në Kosovë “është e paqëndrueshme dhe e ndjeshme”, sipas njoftimit.
Takimi i tyre vjen në një kohë kur autoritetet e Kosovës i kanë ndërmarrë disa veprime në veri të vendit, pjesë e banuar me shumicë serbe, të cilat janë kundërshtuar nga Serbia dhe serbët e Kosovës.
Qeveria e Kosovës ka paralajmëruar se do ta hapë urën kryesore mbi lumin Ibër, e cila nga viti 1999 e ndan Mitrovicën në pjesën jugore, të banuar me shumicë shqiptare, dhe në pjesën veriore, të banuar me shumicë serbe. Ditë më parë, autoritetet kosovare i mbyllën nëntë objekte të Postës së Serbisë në veri të Kosovës.
Veprimet e Kosovës janë kritikuar edhe nga bashkësia ndërkombëtare, e cila i kanë cilësuar ato si të “njëanshme”.
Ndërkohë, pjesëtarët e komunitetit serb protestuan të mërkurën kundër hapjes së urës mbi Ibër, pas paralajmërimit të autoriteteve kosovare se do ta bëjnë një gjë të tillë.
Pas përfundimit të protestës, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ftoi pjesëtarët e komunitetit serb të mërkurën të marrin pjesë në një diskutim në Mitrovicën e Veriut, në të cilin tha se mund të njoftohen “mbi përfitimet nga hapja e urës dhe të shprehin shqetësimet e tyre të cilat do të trajtohen nga përfaqësuesit tanë institucionalë dhe institucionet e vendit”.
Të mërkurën më herët, KFOR-i paralajmëroi përsëri se është i gatshëm t’i ndërmarrë “të gjitha masat e nevojshme” për t’i luftuar zhvillimet të cilat mund ta cenojnë sigurinë dhe stabilitetin rajonal, pas zhvillimeve të fundit në veri të Kosovës.
Ushtarët italianë në kuadër të misionit të KFOR-it ndodhen në urën mbi lumin Ibër, ndërsa afër ndodhen edhe pjesëtarët e Policisë së Kosovës.
KFOR-i është reaguesi i tretë i sigurisë në Kosovë, pas Policisë së Kosovës që është e para dhe pas misionit të BE-së për sundim të ligjit, EULEX, me të cilat thotë se bashkëpunon ngushtë.