Në kërkim nga Kosova, Noizy kapet në Shëngjin!

vovalbania August 07, 2024 0 koment 1 Mund të lexoni në minuta.
Në kërkim nga Kosova, Noizy kapet në Shëngjin!

Arrestohet në Shëngjin reperi Noizy, vetëm dy ditë pasi u shpall në kërkim nga Policia e Kosovës për plagosje të rëndë në një klub nate në Pejë. Noizy ishte në kërkim, pasi bashkë me disa persona të grupit “OTR” akuzohen se dhunuan fizikisht shtetasin Muhamet Iseni, i njohur në “TikTok” si Medi, bashkë me mikun e tij Bekim Hadërgjonajn. Në pranga ra edhe DJ i reperit, Bahtjar Bajraktari i njohur si DJ Crax.

Rigels Rajku, u arrestua mbrëmjen e së martës nga policia e Lezhës në zonën e Kunës në Shëngjin. Sipas burimeve, reperi u ndalua nga një postobllok policie, teksa po shkonte për të performua në një klub nate. Pas ndalimit, Noizy është dërguar në Tiranë ku edhe do t’i nënshtrohet procedurave ligjore.

Njoftimi i Policisë së Shtetit: 

Në vijim të operacioneve të njëpasnjëshme për kapjen e shtetasve të shpallur në kërkim, nga Drejtoria e Forcës së Posaçame Operacionale, Sektori për Kërkimin, Njësia “FAST Albania” në Departamentin e Policisë Kriminale në PSH, është marrë informacion nga FAST Kosova, për 2 shtetas të kërkuar për llogari të Kosovës, që mund të fshiheshin në Shqipëri.

Menjëherë, FAST Albania, bazuar në inteligjencën policore, bëri të mundur lokalizimin e 2 të kërkuarve, dhe në kuadër të operacionit policor “Fast”, kapi në Lezhë dhe arrestoi 2 shtetasit e shpallur në kërkim nga Policia e Kosovës, konkretisht shtetasin R. R., nga Durrësi, dhe shtetasin B. B., nga Prishtina.  Kapja dhe arrestimi i tyre u bënë me qëllim ekstradimin në Kosovë.

Drejtoria Rajonale e Policisë në Pejë, po ashtu ka shpallur në kërkim reperin Arkimed Lushaj, i njohur si Stresi.

Përleshja që për përfundoi me dy të plagosur

Sherri mes pjesëtarëve të grupit “OTR” dhe personazhit të njohur të “TikTok”-ut, Muhamet Iseni, i njohur si Medi nisi në orët e para të mëngjesit të 2 gushtit, në një klub nate në Pejë.

Shkak dyshohen videot në “TikTok” të Medit, i cili prej kohësh ofendonte reperat Noizy e Stresi, të cilët kanë deklaruar se nuk kanë lidhje me sherrin dhe nuk kanë ndërhyrë për të rrahur Medin Isenin, me të cilin kishin zënka në rrjetet sociale.

Nga ana tjetër, Iseni pretendon se “u pre në besë” nga Stresi, i cili dyshohet se e kishte ftuar për ta takuar, por ndërkohë ishte një “kurth”, për ta vendosur në të njëjtin ambient me Noizy-n dhe grupin e tij.

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 65722 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE