Për një “arratisje të qetë”, “Daily Express”: Vizitoni Ksamilin!
Ksamili në Shqipëri, destinacioni i ri nën radar është cilësuar nga ekspertët e udhëtimeve si një “parajsë evropiane, e ngjashme me Maldivet”, siç dhe shkruan Max Channon në një artikull të botuar në të përditshmen britanike “Daily Express”.
Fshati i bukur bregdetar me rërë të bardhë e ujëra bruz po fiton me shpejtësi një reputacion, si një nga destinacionet kryesore për pushime verore, një vend që shumica e britanikëve nuk e kishin menduar kurrë se do ta vizitonin. Deri para disa vitesh, Ksamili në Shqipëri nuk ka qenë nën radarin e shumicës së turistëve kur bëhej fjalë për një destinacion pushimesh verore.
Megjithatë, ekspertët e udhëtimeve e kanë renditur Shqipërinë si një parajsë të fshehur evropiane dhe një destinacion buxhetor, i ngjashëm me Maldivet. Pushimet në Ksamil ofrojnë një arratisje të qetë në përqafimin e natyrës.
Ksamili është i njohur për ujërat e tij të kristalta bruz, plazhet me rërë dhe ishujt e veçuar.
“Nga pushimi nën diell deri te shijimi i ushqimeve më të freskëta të detit, pushimet e Ksamilit përmbledhin thelbin e një parajse mesdhetare”, shkruan lastminute.com.
Ksamili është një destinacion plazhi, i konsideruar ndryshe si parajsa e jugut të Shqipërisë. Riviera Shqiptare ka shumë plazhe të bukura. Por, ky vend të jep ndjesinë e plazheve në Bora Bora. Ndryshe nga plazhet e tjera të Mesdheut, Ksamili ende është një vend i qetë dhe i izoluar me ujëra të pastra kristal e ngjyrë bruz.
Fshati bregdetar ofron rërë të bardhë dhe pamje fantastike të bregdetit të Jonit. Për më tepër, plazhi është i rrethuar nga peizazhe mahnitëse malore. Çmimet e hoteleve në Ksamil variojnë nga 25-45 euro në varësi të hoteleve që zgjidhni me 3 ose 4 yje ose muajin që e vizitoni.
Shqipëria nuk është e shtrenjtë për t’u vizituar. Krahasuar me vendet e tjera evropiane, Shqipëria është një destinacion i lirë pushimesh. Kostot mesatare ditore të udhëtimit janë 42 euro për person në ditë. Një dhomë dyshe në një hotel kushton 25-40 euro. Një vakt i lirë është 2-4 euro ndërsa në një restorant lokal kushton 4-10 euro.
Ushqimi shqiptar është i ngjashëm me ushqimin grek, turk dhe atë italian. Ka shumë vende që ofrojnë sallatë greke, mish të pjekur në skarë dhe gjiro. Kudo në Shqipëri mund të shohësh restorante, dyqane dhe supermarkete të stilit italian. Gjithashtu ofrohen ëmbëlsira si bakllava dhe kafe turke.
Blogerja e udhëtimeve Fleming Ware shkroi në faqen e saj “wareontheglobe” se plazhet e Ksamilit ishin të mrekullueshëm. Ajo vlerësoi çmimet e lira, ushqimin e mirë, njerëzit miqësorë dhe motin e shkëlqyer.