SHBA: Një luftë me përmasa të gjera në Lindjen e Mesme është larg!
Departamenti amerikan i Mbrojtjes njoftoi se beson që një luftë rajonale në shkallë më të gjerë në Lindjen e Mesme nuk është e afërt. Zv.zëdhënësja e Pentagonit, Sabrina Singh iu përgjigj pyetjeve të gazetarëve. Lidhur me pyetjen nëse një sulm iranian ndaj Izraelit është i afërt, Singh tha se kategorikisht, ata nuk duan ta shohin këtë dhe shtoi:
Besojmë se një luftë rajonale në shkallë më të gjerë nuk është e afërt në Lindjen e Mesme. Rruga më e mirë për të ulur tensionin në rajon është arritja e një marrëveshjeje armëpushimi në Gaza dhe kthimi i pengjeve amerikanë në shtëpitë e tyre. Dërguam forca shtesë në rajon për të dhënë një mesazh “parandalimi”.
Singh theksoi idenë se forcat amerikane vazhdojnë të vendosen në Lindjen e Mesme për të mbështetur mbrojtjen e Izraelit, për të forcuar mbrojtjen e forcave amerikane dhe për të siguruar që ata të jenë të gatshëm të japin përgjigje ndaj situatave të papritura.
Në rajon, tensioni u rrit pas sulmit ajror që Izraeli ndërmori në Bejrut, kryeqytetin e Libanit ndaj Fuad Shukur një prej komandantëve të lartë të Hezbollahut pro-iranian, si dhe vrasjes së kreut të Byrosë Politike të Hamasit, Ismail Haniyeh në kryeqytetin e Iranit, Teheran.
Kundër Tel Avivit janë bërë kërcënime për hakmarrje nga Irani dhe Hezbollahu libanez, të cilët e kanë mbajtur Izraelin përgjegjës për vrasjen e Haniyeh-ut. Dy ditë më parë, Republika Islamike tha se nuk po kërkon përshkallëzim të tensioneve rajonale në Lindjen e Mesme, por beson se Izraeli duhet që të ndëshkohet, në mënyrë që siç beson, “të mund të parandalohet paqëndrueshmëria e mëtejshme”. Kjo u deklarua të hënën nga zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Republikës Islamike.
Irani kërkon që të ketë stabilitet në rajon, por kjo mund të arrihet vetëm me ndëshkimin e agresorit dhe të krijohet parandalim kundër aventurizmit të regjimit zionist [Izraelit], tha zëdhënësi Nasser Kanaani, duke shtuar se kundërpërgjigja nga Teherani është e pashmangshme.
Kanaani i bëri thirrje Uashingtonit zyrtar që të mos e mbështesë më Izraelin, duke shtuar se komuniteti ndërkombëtar ka dështuar që të mbrojë stabilitetin në rajon dhe duhet të mbështesë “ndëshkimin e agresorit”.