Danimarkë, shkollat ndalojnë rrjetet sociale!
Disa shkolla të mesme në Danimarkë kanë bllokuar disa faqe interneti për nxënësit, me shpresën se do të fokusohen më shumë në shkollë. Uebsajtet e bllokuara përfshijnë rrjetet sociale, faqet e blerjeve, ato që transmetojnë lojëra dhe video-lojërat.
Megjithatë, kritikët theksojnë se nxënësit do të gjejnë mënyrë për t’i kapërcyer këto bllokime. Disa shkolla u përpoqën ta zbatonin këtë sistem në të kaluarën, por nuk ia dolën plotësisht, sepse vetë nxënësit e pranuan se arritën prapëseprapë të hynin në këto faqe.
Rikujtojmë se Departamenti i Drejtësisë në SHBA ka paditur Tik Tok dhe kompaninë e tij mëmë kineze ByteDance. Arsyeja e kësaj padie është shkelja e privatësisë së fëmijëve në internet, në bazë të një marrëveshje të vitit 2019. Në padi thuhet se Tik Tok ka vazhduar të mbledhë të dhëna për miliona fëmijë nën 13 vjeç pa pëlqimin e prindërve të tyre dhe duke mos respektuar të dhënat e prindërve, shkruan Politico.
Rekomandimet për këto lëvizje erdhën drejtpërdrejt nga Ministria Daneze për Fëmijët dhe Arsimin dhe bazohen në projektin e shkollës së mesme “Niels Brock” në Kopenhagë, ku rrjetet sociale janë bllokuar për më shumë se një vit.
Edhe Qipro do të ndalojë përdorimin e telefonave celularë në shkolla. Këtë ka pohuar Ministrja e Arsimit Athina Mihaelidou, duke theksuar se telefonat janë shumë shpërqendrues për nxënësit dhe çojnë në sjellje antisociale. Autoritetet planifikojnë të vendosin ndalimin pasi të diskutohet në parlament.
Fëmijët nga mosha 8 deri në 12 vjeç kalojnë pak më pak se pesë orë në ditë me telefonat e tyre dhe në kohën kur bëhen adoleshentë, koha para ekranit rritet deri në 8 orë çdo ditë, ka zbuluar një hulumtim. Fëmijët rrallë e përdorin atë kohë për gjëra krijuese dhe të dobishme. Pjesa më e madhe lundron nëpër rrjetet sociale, thotë Michael Robb në analizën e tij të raportit.