Izraeli i thotë “Po” rinisjes së bisedimeve për armëpushim në Gaza!
Izraeli ra dakord duke u pajtuar që bisedimet për një armëpushim në Gaza të rinisin më 15 gusht. Kjo me kërkesë të ndërmjetësve nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Katari dhe Egjipti. Kështu bëri të ditur zyra e kryeministrit izraelit, Benjamin Netanyahu ndërsa tensionet në rajonin e Lindjes së Mesme janë rritur ndjeshëm.
Pas një pauze 1-javore në nëntor të vitit të kaluar, ndërmjetësit nga SHBA-të, Katari dhe Egjipti janë përpjekur që të arrihet edhe një marrëveshje armëpushimi për luftën që nisi më 7 tetor 2023 pasi Hamasi, grupi palestinez i shpallur “terrorist” nga SHBA-të e Bashkimi Europian, sulmoi Izraelin.
Përmes një deklarate të përbashkët, Amerika, Katari dhe Egjipti ftuan palët e përfshira në konflikt që të rinisin bisedimet më 15 gusht në kryeqytetin e Katarit, Doha apo të Egjiptit, Kajro “me qëllim që të tejkalohen ndasitë dhe marrëveshja të nisë së zbatuari, pa vonesa”.
Një marrëveshje-kornizë tani është në tavolinë dhe vetëm detajet e zbatimit kanë mbetur pa u zgjidhur. Ndërmjetësit janë të përgatitur të paraqesin një propozim final për të zgjidhur çështjet e mbetura, u tha në deklaratë.
Zyra e Netanyahut njoftoi se Izraeli do të dërgojë një ekip negociator më 15 gusht “për të përfunduar punën lidhur me detajet e marrëveshjes për zbatim”. Marrëveshja e propozuar e armëpushimit përfshin lirimin e pengjeve që mbahen në Gaza, rritjen e dërgesave me ndihmë humanitare dhe planifikohet të zbatohet me faza.
Diskutimet e fundit janë përqendruar në kornizën e paraqitur nga presidenti amerikan, Joe Biden, në fund të majit. Biden tha se ishte propozuar nga Izraeli. Njoftimi për bisedimet u bë pasi Hamasi emëroi Yahya Sinwarin në postin e liderit politike duke nxitur frikë se negociatat mund të bëhen edhe më të vështira.
Diplomatët po përpiqen të ulin tensionet në rajon, të rritura pas vrasjes së shefit politik të Hamasit, Ismail Haniyeh dhe një komandati të lartë të Hezbollahut, grupit libanez të shpallur terrorist nga Amerika, vrasje për të cilat është fajësuar Izraeli.
Irani është zotuar se do të hakmerret ndaj Izraelit për Haniyeh-un, i cili u ekzekutua në Teheran. Por, Izraeli nuk ka marrë përgjegjësinë për vrasjen e shefit të Hamasit. Gjatë sulmit të 7 tetorit 2023, Hamasi vrau rreth 1.200 persona dhe rrëmbeu afro 250 të tjerë. Në kundërpërgjigje të sulmit të 7 tetorit, Izraeli nisi një ofensivë ushtarake në Gazë, nga e cila deri më tani janë vrarë gati 40 mijë vetë sipas Ministrisë së Shëndetësisë palestineze.