Prej 2 vitesh presin në bregun e Vlorës, gati të ndizen TEC-et lundruese!
Pas 2 vitesh nga mbërritja e TEC-eve lundruese në Vlorë, Korporata Elektronergjetike bëhet gati që t’i ndezë për herë të parë dhe të nisë prodhimi i tyre për shkak të faturës së lartë të importit të energjisë elektrike gjatë kësaj vere.
KESH ka hapur tender për furnizimin me lëndë djegëse të termocentraleve lundruese në Vlorë. Në garën e shpallur kërkohet të blihen 21 mijë tonë lëndë djegëse të llojit HFO, me përmbajtje të squfurit jo më të madhe se 0.5%, ndërsa fondi limit i vënë në dispozicion është 11.500 euro.
Sipas detajeve të garës së shpallur, lënda djegëse e kërkuar, do të përdoret për të vënë në punë gjeneratorët termik, të cilët tashmë janë gati për prodhim. Po ashtu sqarohet se TEC-et janë të varura nga konsumi, prodhimi i HEC-eve dhe çmimet e energjisë në bursë, dhe ato vihen në punë në periudha sezonale.
“Regjimet e prodhimit të parashikuara janë të tilla që të përshtaten me sezonalitetin e prodhimit hidrik por edhe sezonalitetin e çmimeve të energjisë në Evropë. Referuar kapacitetit depozitues në PIA, nevojave për gjenerim energjie elektrike, si dhe në përputhje me kushtet e tregut, sasitë e lëndës djegëse të nevojshme për përdorim, janë të ndryshme në periudha të ndryshme të vitit”, thuhet në dokumentet e tenderit të hapur nga KESH.
Vetëm si rezultat i prodhimit të pamjaftueshëm për të furnizuar qytetarët me energji në kushtet kur mungojnë reshjet e shiut, KESH ka blerë nga muaji qershor kur nisi importet e para deri më tani 38 milionë euro energji elektrike.
Për të prodhuar një megavat energji, TEC-et lundruese konsumojnë 229 Kg lënde djegëse dhe në rastin e shfrytëzimit me kapacitet të plotë të impiantit, nevoja për furnizim është rreth 500 ton lëndë djegëse në ditë. Kostoja për një megavat të prodhuar nga këto TEC-e përllogaritet mesatarisht 150-170 euro, por që mund të ndryshojë në varësi të çmimit të lëndës djegëse. Ndërsa çmimi i energjisë në bursë luhatet deri në 130 euro/megavati.
Dy platformat lundruese nëse vihen në punë do të prodhojnë 110 megavat orë energji elektrike, dhe të mbulohen 15% e nevojave të konsumit vendas. TEC-et lundruese kanë mbërritur në triport në Vlorë në shtator të vitit 2022, pas një marrëveshje 2-vjeçare me kompanitë Exelerate Energy dhe Renco që u nënshkrua me mbështetje të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Qiraja ditore për këto anije është 63 mijë dollarë.