Shuhen flakët në Finiq e Delvinë!
Shuhen zjarret e fuqishëm në Finiq dhe Delvinë. Lajmin e njoftoi Ministria e Mbrojtjes:
Pas një pune të pandërprerë edhe gjatë natës nga forcat operacionale nga bashkitë Finiq, Delvinë, Himarë, Sarandë, Konispol e Dropull, mbështetur nga 75 efektivë të Forcave të Armatosura dhe helikopteri “Cougar” është bërë e mundur shuarja e zjarreve në Finiq dhe Delvinë.
Por, situata po vazhdon të monitorohet për të shmangur çdo mundësi riaktivizimi. Ministria e Mbrojtjes shpreh mirënjohje për të gjithë efektivët e përfshirë në këto operacione, që zhvillohen në kushtet e temperaturave të larta dhe në terrene të vështira.
Shërbimi Meteorologjik Ushtarak bëri të ditur se ditën e sotme, vendi ynë do të vijojë të ndikohet nga kushte atmosferike të qëndrueshme për shkak të qarkullimit të masave ajrore të nxehta me origjinë jugore.
Moti parashikohet i kthjellët në të gjithë territorin, ndërsa në orët e mesditës deri ato të pasdites vonë, në relievet kodrinore-malore të vendit priten vranësira kalimtare, të cilat do të jenë më të theksuara në relievet e larta të vendit. Pikërisht atje, në orët e nxehta të ditës priten reshje shiu afatshkurtra e të izoluara (kryesisht në formën e pikave). Po ashtu, në mënyrë tepër të izoluar, reshjet në këto zona do të jenë në formën e shtrëngatave.
Era fryn me drejtim kryesor nga veriperëndimi e jugperëndimi dhe me shpejtësi mesatare 1-6 m/sek. Përgjatë vijës bregdetare e në lugina, era fiton shpejtësi 10-14 m/sek, shoqëruar me valëzim në dete të forcës 1-2 ballë.
Temperaturat parashikohen:
Shkodër
20/37
Diell
Kukës
14/35
Diell re
Lezhë
19/36
Diell
Dibër
16/35
Diell re
Durrës
21/37
Diell
Tiranë
23/36
Diell re
Elbasan
23/39
Diell re
Berat
17/37
Diell re
Vlorë
21/36
Diell
Korçë
18/32
Diell re
Gjirokastër
17/37
Diell re
Sarandë
19/34
Diell