Manchester City është superkampione e Anglisë, mposht falë penalltive rivalët e United dhe ngre në Wembley trofeun e parë të sezonit!
Manchester City ka fituar Superkupën e Anglisë, e njohur ndryshe si “FA Community Shield”, duke mundur në Wembley Manchester falë penalltive
Pjesa e parë e takimit nisi me ritëm të ulët, me raste të pakta nga të dyja skuadrat, teksa në të dytën, ishin “Djajtë e Kuq” që provuan më shumë. Në minutën e 54’, Bruno Fernandes realizoi një supergol, i cili u anulua nga anësori për një pozicion të parregullt.
Gjithsesi, në minutën e 82’, ishte Granacho, i cili hyri bukur në zonë dhe me të majtën kaloi në avantazh skuadrën e Ten Hag.
Në minutën e 89’, kur “Djajtë” menduan se çdo gjë po shkonte drejt fundit, ishte Bernanrdo Silva, i cili në ditën e 30-vjetorit të tij shënoi me kokë dhe riktheu baraspeshën në Wembley, me takimin që shkoi menjëherë te 11-metërshat.
Sa i përket ruletës së 11-metërshave, për “Qytetarët” gaboi vetëm Bernardo Silva, ndërsa për “Djajtë e Kuq” ishin Sancho dhe Evans që nuk e çuan dot në rrjetë
Kështu Manchester City fiton Superkupën e Anglisë pas tre disfatave radhazi, duke e bërë këtë gjë pikërisht në derbi me rivalët e United.