Zjarri rrezikon banesa në Delvinë, ndërhyrje nga toka dhe me helikopter!
Një zjarr i përmasave të mëdha ka përfshirë zonën mes fshatrave Vllahat e Kostar në Delvinë. Flakët po rrezikojnë banesat ndaj nisi dhe ndërhyrja me helikopter për shuarjen e tyre. Zjarri po djeg një pyll me pisha në periferi të Delvinës, pranë lagjes Xhermëhallë. Në terren ndodhen zjarrfikëse nga Delvina, Finiqi dhe Saranda.
Prej 5 ditësh vijon zjarri në “Malin e Thatë”, ku flakët rrezikojnë Parkun Kombëtar të Prespës. Eshtë ndërhyrë nga toka dhe ajri, duke qenë se shtrirja rezulton me një perimetër shumë të gjatë, por me përmasa jo shumë të mëdha. Dje u aktivizua helikopteri “Coogar”, që mbylli vetëm një vatër të konsiderueshme.
Që në orët e para të mëngjesit janë aktivizuar rreth 80 forca operacionale nga bashkitë Korçë, Maliq, Pogradec, në ndihmë të asaj Pustec.
Drejtori i përgjithshëm i DPMZSH, Arben Cara dhe prefekti i Qarkut të Korçës, Nertil Jole ishin së bashku në terren për të parë nga afër situatën e zjarrit. Cara tha se zjarri favorizohet dhe nga era që përhap flakët. Cara deklaroi:
Nëse era do të na favorizojë që të mos jetë aktive gjatë ditës, situata e zjarrit mund të ndërpritet dhe Mali i Prespës të mos preket nga vatra. Në rast se era do ta favorizojë është e mundur që zjarri të depërtojë në Prespë, e cila është dhe një zonë e mbrojtur.
Por, drejtuesit e strukturave operacionale do të bëjnë vlerësimin, në mënyrë që të aktivizojnë ndërhyrjen nga ajri e që zjarri mos depërtojë në Malin e Prespës pasi do të na krijonte probleme më të mëdha sa i përket lokalizimit dhe menaxhimit të saj.
Kemi të bëjmë me një sipërfaqe shkurre, ferra, bar të thatë, të cilën nuk është e mundur që ta menaxhosh me mjete rrethanore.
Në jug të vendit, për vatra zjarri u raportua sot edhe në fshatrat Labovë e Madhe dhe Labovë e Vogël në Gjirokastër. Herët në mëngjes, rreth orës 04:00, forcat zjarrfikëse në Gjirokastër u riorganizuan për ndërhyrje në pikat kyçe për mbajtjen nën kontroll dhe izolimin e flakëve duke luftuar me to. Zjarret janë të shpeshtë në këtë periudhë të vitit, favorizuar dhe nga temperaturat e larta e që sot luhaten në vlerat 15-40 gradë celcius në vendin tonë.