Shkuan të merrnin 148 kg kokainë, arrestohen 3 shqiptarët në portin e Livornos! Droga vinte nga Ekuadori
Tre shqiptarë janë arrestuar në portin e Livornos në Itali, ku kishin shkuar për të tërhequr 148 kg kokainë.
Mediat vendase raportojnë se kokaina e paketuar në 139 pako kishte ardhur nga porti i Guayaquil i Ekuadorit e fshehur në një kontejner me banane dhe si destinacion kishte Zvicrën. Autoritetet italiane vepruan në bazë të sinjalizimeve të cilat ishin shkëmbyer me Agjencinë Doganore.
Ka qenë skaneri që zbuloi 139 pakot e fshehura në kontejnerin me banane dhe më pas oficerët e Guardia di Financa ishin pozicionuar për disa orë në pritje për të arrestuar personat që do të vinin të merrnin ngarkesën.
Në momentin e arrestimit ‘korrierët’ shqiptarë nuk kanë bërë rezistencë por mësohet se identifikimi i tyre ka qenë i vështirë pasi nuk banonin në Itali dhe nuk kishin dokumente identifikimi.
Dy prej të arrestuarve janë vëllezër, shkruan Corriere della Sera, duke shtuar se nëse droga do të shkonte në destinacionin e duhur ata do të kishin përfituar një shumë prej mijëra eurosh.
Sipas autoriteteve ky është sekuestrimi më i madh i kokainës vitet e fundit në këtë port, ndërsa Gjykata e Livornos ka caktuar masën e arrestit burg për 3 korrierët shqiptarë.