Efektet negative të zjarreve në organizëm!
Efektet shëndetësore të zjarrit, përpos efekteve të menjëhershme, mund të jenë edhe afatgjata. Efektet negative lidhen me çrregullimet e shëndetit mendor, vdekjen nga sëmundjet e zemrës, “stopimin” e zhvillimit të fëmijëve, ndërsa tymi mund të prekë njerëzit pavarësisht nëse janë pranë zjarrit apo jo. Efektet e zjarreve në shëndet mund të jenë të menjëhershme duke përfshirë lëndimet afatgjata, madje edhe vdekjen, që vijnë nga djegiet dhe thithja e tymit gjatë zjarreve, indirekt nëpërmjet ndotjes së ajrit dhe stresit mendor që rezulton nga humbjet ekonomike.
Ekspozimi ndaj tymit të zjarrit mund të irritojë mushkëritë, të shkaktojë inflamacion, të ndryshojë funksionin e sistemit imunitar, të rrisë ndjeshmërinë ndaj infeksioneve të frymëmarrjes dhe të shkaktojë dëmtime në nivel qelizor dhe molekular, duke çuar në vdekjen e qelizave.
Qendrat Amerikane për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve kanë lëshuar udhëzime për profesionistët shëndetësorë në lidhje me simptomat akute dhe shenjat e ekspozimit ndaj tymit. Studiuesit zbuluan gjithashtu se ekspozimi ndaj zjarrit lidhej me efekte të rrezikshme te fëmijët, veçanërisht kur nënat ekspozoheshin ndaj tymit gjatë shtatzënisë. Një studim sugjeron se kjo mund të jetë për shkak të efekteve të tymit të zjarrit në shëndetin e frymëmarrjes të grave shtatzëna.
Moti i nxehtë i shkaktuar nga ndotja e karbonit vrau gati 50.000 njerëz në Evropë vitin e kaluar, pasi kontinenti i vjetër po ngrohet me një ritëm më të shpejtë se pjesët e tjera të botës, sipas një studimi të fundit. Të dhënat publikohen teksa zjarret kanë përfshirë pyjet jashtë Athinës, ndërsa Franca lëshoi paralajmërime për nxehtësinë dhe Britania e Madhe u përball me ditët më të nxehta të vitit.
Mjekët e quajnë nxehtësinë një “vrasës të heshtur” sepse ajo merr shumë më tepër jetë sesa mendojnë shumica e njerëzve. Shkalla e vdekshmërisë në vitin 2023 do të ishte 80% më e lartë nëse njerëzit nuk do të ishin përshtatur me temperaturat në rritje gjatë dy dekadave të fundit, sipas studimit të botuar në Nature.