Katy Perry në telashe, autoritetet spanjolle nisin hetimet për shkak të videoklipit të saj!
Autoritetet spanjolle kanë nisur një hetim për këngëtaren e njohur Katy Perry, pasi dyshojnë se një pjesë të videoklipit më të fundit ajo e ka filmuar në një zonë ekologjike nën ruajtje nga shteti në Ishujt Balearik pa autorizim.
Këngëtarja amerikane ka publikuar videoklipin e këngës “Lifetimes”, pjesë e albumit të saj të fundit “143”. Në videoklip Perry shfaqet teksa feston dhe shijon plazhin me sfond nga dunat e rërës në ishullin S’Espalmador e Formentera. Këto pamje kanë ngritur shqetësim për autoritetet.
Qeveria spanjolle ka deklaruar se kompania e prodhimit, përgjegjëse për videon, nuk ka kërkuar leje për xhirimet. Si pasojë, në njoftimin e tyre thuhet se “kanë nisur veprimet hetimore paraprake”. Por, zyrtarët theksuan se Katy Perry nuk ishte nën hetim për ato që i quajtën “krime kundër mjedisit”, pasi xhirimet mund të autorizohen në zonë.
Departamenti theksoi se sipas Planit të Menaxhimit të Burimeve Natyrore, aktivitetet qe përfshijnë “fotografimin, kinematografinë ose videografinë” për një “qëllim reklamimi ose ekspozimi tregtar” kërkojnë autorizimin e shprehur të Ministrisë spanjolle të Mjedisit.
S’Espalmador është një ishull i pabanuar që ndodhet në veri të Formentera dhe është afërsisht 3 kilometra i gjatë, pjesë e parkut natyror Ses Salines de Ibiza dhe Formentera që nga viti 1980, dunat në ishullin e vogël në pronësi private janë me “vlerë të madhe ekologjike”, sipas faqes së turizmit të qeverisë rajonale.