U dënua me vdekje për shkak të këngëve të tij, Gjykata shpall të pafajshëm reperin iranian!

vovalbania August 15, 2024 0 koment 1 Mund të lexoni në minuta.
U dënua me vdekje për shkak të këngëve të tij, Gjykata shpall të pafajshëm reperin iranian!

Gjykata Revolucionare e Isfahanit e ka shpallur të pafajshëm Toomaj Salehin, reperin iranian i cili ishte dënuar me vdekje për shkak të këngëve të tij protestuese kundër republikës islamike. Avokati i Salehit tha se gjykata e cila ishte marrë me rastin e klientit të tij në vitin 2022 për akuzën për “korrupsion në Tokë”, e mori aktvendimin më 14 gusht.

Amir Raesiani shkroi në platformën X se Dega 5 e Gjykatës Revolucionare e Isfahanit e ka bërë publik aktvendimin që e shpall të pafajshëm klientin e tij në këtë rast. Ai shtoi se gjykata gjithashtu mori vendim për “pezullimin e ndjekjes penale për akuza të tjera” dhe i dërgoi dy akuza, për publikimin e gënjeshtrave në kompjuter dhe për prishjen e rendit, në Gjykatën Penale 2 me “urdhër për diskualifikim”. Salehi u dënua më vdekje nga Gjykata Revolucionare në maj për akuzën për “korrupsion në Tokë”, por Gjykata Supreme e rrëzoi vendimin e saj dhe rastin e dërgoi në një degë paralele të Gjykatës Revolucionare për rishqyrtim.

Salehi po vuante një dënim me burgim gjashtëvjeçar për përfshirjen e tij në protestat e vitit 2022 që e tronditën Iranin, kur u dënua me vdekje për akuzën për “korrupsion në Tokë”. Salehi, 33-vjeçar, u arrestua për herë të parë në tetor të vitit 2022, pasi ishte deklaruar publikisht në mbështetje të protestave që shpërthyen në shtator të atij viti, pas vdekjes së Mahsa Aminit, 22-vjaçares, e cila vdiq në mbajtje policore, pasi ishte arrestuar me arsyetimin se nuk e kishte vendosur siç duhet mbulesën në kokë, e njohur si hixhab.

Ai është liruar dhe riarrestuar disa herë prej atëherë, për shkak të vendimeve të ndryshme që kanë marrë gjykatat. Salehi ka fituar vëmendje për tekstet e këngëve të tij, me tema kundër korrupsionit, varfërisë, ekzekutimeve dhe vrasjes së protestuesve në Iran. Ai, gjithashtu, ka folur edhe për rritjen e dallimeve mes banorëve iranianë dhe udhëheqësisë së shtetit, duke akuzuar autoritetet se kanë “ngufatur” njerëzit, pa pasur parasysh mirëqenien. Në një letër publikuar në maj, Amnesty International tha se Salehi ishte torturuar dhe rrahur vazhdimisht në paraburgim.

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 65215 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE