Luana Vjollca sërish në TCH? Nga Arbana, te Luana e Kiara-kush janë moderatoret që do të rikthehen në TV sezonin e ri?

vovalbania August 17, 2024 0 koment 4 Mund të lexoni në minuta.
Luana Vjollca sërish në TCH? Nga Arbana, te Luana e Kiara-kush janë moderatoret që do të rikthehen në TV sezonin e ri?

Me gushtin do të mbyllet edhe sezoni i pushimeve, ku shtatori do të sjellë një rikthim në ekranet televizive të disa formateve.

Ndonëse thuajse të gjithë personazhet e njohura të ekranit janë me pushime, tashmë po mbyllen edhe detajet e fundit të formateve të reja televizive që pritet të nisin së shpejt.

Si gjithnjë, shumë interes ka edhe për ndryshimet që shpesh ndodhin në ekrane, që këtë sezon duhet të themi janë të shumtë. Disa prej emrave që më së shumti kemi hasur në televizione përgjatë sezonit të shkuar, duket se këtë herë do të mungojnë. Një prej mungesave të para është pikërisht Fjoralba Ponari.

Ky sezon e solli krejt ndryshe moderatoren, ku për herë të parë provoi që të moderonte e vetme një format të ri televiziv, si ishte “Ferma VIP”. Pas shumë vitesh, ajo u largua nga “Portokallia” për të ndryshuar edhe shtëpinë mediatike. Megjithatë, bëhet me dije se Fjoralba nuk do të jetë moderatorja e “Ferma VIP” sezonin e ardhshëm. Nuk dihet ende se çfarë e ka shtyrë prezantuesen drejt këtij vendimi, por ajo që dihet deri më tani është fakti se Fjoralba aktualisht është jashtë ekranit të madh. Mbetet për t’u parë nëse ndonjë televizion tjetër do të shfaqë interes për ta pasur si mikpritëse në të tjera formate.

Një tjetër emër që duket se shtatori do ta gjejë sërish jashtë ekranit është edhe Arbana Osmani. Të gjithë kemi qenë “sy e vesh” duke pritur rikthimin në ekran të Arbana Osmanit. E ftuar në “RTV Dukagjini” tha se nuk ka asgjë konkrete. “Nuk ka absolutisht asgjë konkrete. Në momentin e parë që do ketë një lajm konkret që dua ta ndaj me shikuesit, me kënaqësi do ta ndaj unë e para”.

Pyetjes nëse do e shohim në sezonin e ri televiziv, shtator-tetor, me ndonjë projekt të ri televiziv, ajo iu përgjigj me “Patjetër. Mund të jetë ‘Big Brother’, mund të mos jetë ‘Big Brother’. Kjo nuk ka shumë rëndësi. E rëndësishme është që unë do rikthehem në ekran, aty ku shikuesit më duan”. Kujtojmë se kjo periudhë për Arbanën ka qenë një fokusim te biznesi, familja dhe udhëtimet. Shumë kanë aluduar se prezantueses i është besuar formati “Big Brother VIP Kosova” sezonin e ardhshëm.

Shpeshherë, Arbanën e kemi parë duke udhëtuar drejt Prishtinës, ndërsa ajo ka treguar se ka të bëjë me zgjerimin e biznesit të saj edhe në trevat shqiptare dhe jo me karrierën e saj në televizion. E teksa prezantuesja e dy sezoneve të “BBV” kohë më parë është pyetur në lidhje me aludimet dhe zërat që po qarkullonin në median rozë se ajo do të prezantojë “BBVK” së bashku me këngëtarin shkodran Luiz Ejlli, Arbana zgjodhi të mos i mohojë këto lajme duke forcuar edhe më shumë dyshimet e ndjekësve. Por duket se nuk do të jetë kështu.

Edhe këtë sezon i ri, “Big Brother VIP” Kosova do të moderohet nga Jonida Vokshi dhe Alaudini. Nga ajo çfarë thuhet, Arbana pritet të rikthehet në ekranin e “Top Medias”, në janar, por jo në formatin e “Big Brother”.

Sakaq, Kiara Tito ka konfirmuar rikthimin e saj në ekran në sezonin e ri televiziv, në shtator. Ky ka ardhur si një lajm shumë i mirë për ndjekësit e saj, të cilët kanë qenë në pritje të këtij momenti. Në një intervistë virtuale me ndjekësit e saj në “Instagram”, një nga ndjekësit e saj e pyeti direkt nëse ajo do të rikthehet në ekran në shtator. Përgjigjja e Kiara Tito ishte e qartë dhe entuziaste: “Po”. Ky lajm ka ngjallur shumë interes dhe spekulime në rrjetet sociale se ku do e shohim Kiarën.

Rikthimi i Kiarës në ekran vjen pas shtatzënisë dhe ardhjes në jetë të vajzës. Për herë të fundit Kiarën e kemi parë në ekran me “Fan Club – DWTS” në fund të vitit që shkoi. Deri më tani nuk ka asnjë format për Kiarën, duke bërë që të mendojmë se në fakt rikthimi i saj do të shtyhet edhe pak në kohë. Vetë moderatorja në rrjetet sociale ka zgjedhur që të mos zbulojë më shumë. Ndoshta edhe për faktin se nuk ka asgjë të re nga karriera e saj.

Një periudhë e trazuar ka qenë edhe për Luanën. Pasi u nda nga partneri i saj, Krenar Çoçaj, Luana është edhe jashtë sezonit televiziv. Mesa duket këtë vit do të mungojë “Love Island”, duke bërë që moderatorja mos të rikthehet në TV “Klan”. Bëhet me dije se aktualisht moderatorja është në bisedime për të ndryshuar shtëpi mediatike, ku zërat në rrjet janë duke u shprehur se ka ende mundësi që Luana të rikthehet në “Top Media”. Megjithatë, një fakt i tillë është ende i pakonfirmuar.

Einxhel Shkira gjithashtu ka thënë se së shpejti do të rikthehet në ekran, pa ndarë më shumë detaje. Sakaq, Marina Vjollca do të vijojë në sezonin e ri televiziv në “TV Klan”, pas shkëlqimit që pati në “Kampionët” përgjatë Euro24, ende nuk dihet programi ku do ta shohim moderatoren.

Sa i përket Bora Zemanit, thuhet se ajo do të vazhdojë një sezon tjetër të “Cherry on Top”, që do të zëvendësojë programin e vëllezërve Veshaj.

Megi Pojani do të vazhdojë të jetë moderatore e sezonit të 6 të “Për’puthen”, këtë herë pa Olsa Muhametin si autore të programit të dashurisë.

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 65245 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE