Letonia heq gjuhën ruse nga programet shkollore!
Qeveria e Letonisë ka filluar të heqë gjuhën ruse nga programet shkollore në gjithë vendin. Kjo masë është pjesë e një plani për të ulur ndikimin e Moskës pas sulmit të shkallës së gjerë ndaj Ukrainës. Në lagjen Daugavgriva në kryeqytet, ku kryesisht flitet rusisht, disa edukatorë dhe ekspertë të sigurisë thonë se ky hap do t’u vijë në ndihmë propagandistëve të Kremlinit.
Viktorija Krongorne është zëvendës drejtore e Shkollës Daugavgrivas në Rigë, njëra nga 94 shkolla në Letoni, ku të gjitha lëndët jepeshin në rusisht deri në vitin 2022, kur një ligj i ri urdhëroi shkollat të përdorin vetëm letonishten deri në vitin 2025.
Krongorne thotë se ky vendim hyri menjëherë në fuqi dhe shkaktoi shqetësime meqë shumë fëmijë flisnin shumë pak letonisht. Ajo thotë se notat e tyre ranë në çdo lëndë, duke filluar nga biologjia e deri te matematika.
Ajo thotë se këto ndryshime duhej të kishin ndodhur në vitet ‘90, kur u shpërbë Bashkimi Sovjetik. Megjithatë, sipas saj, për fëmijët e familjeve që flasin rusisht, përmirësimi i mundësive të punësimit do të jetë një rezultat pozitiv i këtij vendimi.
Ndërkohë që heqja e mësimdhënies në rusisht nga programet shkollore është pjesë e një përpjekje më të gjerë për ta larguar ndikimin rus në Letoni pas sulmit rus ndaj Ukrainës, ekzistojnë shqetësime rreth propagandës së Kremlinit. Kur Rusia sulmoi pjesën lindore të Ukrainës në vitin 2014, e bëri këtë me pretekst se po shpëtonte rusisht-folësit e shtypur.