Armando Broja tashmë në një ekip të ri!
Armando Broja do të bëhet lojtari më i ri i ekipit të sapongjitur në Premier League, Ipswich Town. Klubi nga Suffolk është në procesin e nënshkrimit me sulmuesin kuqezi të Chelsea, një lëvizje që ka tërhequr vëmendjen e mediave dhe tifozëve të futbollit. Emri i Brojës është përfolur për një kalim te Everton, Milan dhe Borussia Dortmund gjatë kësaj merkatoje, por duket se Ipswich ka arritur marrëveshjen për të siguruar shërbimet e tij.
Sipas raportimeve ekskluzive nga EADT dhe Ipswich Star, bisedimet mes Ipswich dhe Chelsea kanë qenë intensive, dhe një marrëveshje tashmë është arritur. Sipas mediave lokale, nënshkrimi me Brojën mund të shpallet brenda 24 orëve të ardhshme.
Broja, i cili është 22 vjeç, do të shtojë forcë dhe potencial në repartin ofensiv të Ipswich, që aktualisht përfshin lojtarë si Liam Delap, George Hirst (i cili do të mungojë deri në tetor për shkak të një dëmtimi në gju), Ali Al-Hamadi dhe Freddie Ladapo, i cili është në treg. Ky nënshkrim është i rëndësishëm për Ipswich, pasi Broja pritet të kontribuojë me cilësitë e tij të veçanta në sulm.
Në gjysmën e dytë të sezonit të kaluar, Broja ishte i huazuar te Fulham, por ndodhi që të ngecë në stol për shkak të performancës së shkëlqyer të Rodrigo Muniz. Në fillim të këtij sezoni, numri 19 i Brojës te Chelsea u kalua tek blerja më e re, Pedro Neto, ndërsa klubit londinez pritet t’i bashkohet edhe Joao Felix.
Për Ipswich, nënshkrimi i Brojës do të jetë i 10-i për këtë verë, pas ardhjes së Aro Muric, Ben Johnson, Jacob Greaves, Conor Townsend, Kalvin Phillips, Jens Cajuste, Omari Hutchinson, Sammie Szmodics dhe Delap. Ky përforcim është një hap i rëndësishëm për klubi në përpjekjet e tij për të qëndruar dhe konkuruar në Premier League këtë sezon.