Manuel Neuer tërhiqet nga kombëtarja gjermane!
Pas Toni Kroos, Thomas Muller dhe Ilkay Gundogan, një tjetër yll i jep fund aventurës me Gjermaninë. Bëhet fjalë për portierin Manuel Neuer. Gardiani gjerman, i cili ruajti portën e “Panzerave” për shumë vite, ka vendosur që të tërhiqet përfundimisht nga kombëtarja në moshën 38-vjeçare.
Me anë të një njoftimi ku konfirmoi mbylljen e ciklit me Gjermaninë, Neuer tha:
Të gjithë ata që më njohin e dinë që ky vendim nuk ishte i lehtë për mua. Ndihem shumë mirë fizikisht dhe sigurisht që Botërori 2026 në SHBA, Kanada dhe Meksikë do të kishte qenë shumë tërheqës për mua. Në të njëjtën kohë, jam i bindur se tani është pikërisht koha e duhur për të marrë këtë hap dhe për t’u përqendruar plotësisht te Bayern Munich. Kupa e Botës e 2014-ës dhe atmosfera e veçantë gjatë Kampionatit Europian të këtij viti janë pikat kryesore për të cilat jam jashtëzakonisht mirënjohës. Për mua që të isha kapiten i kombëtares sonë deri në vitin 2023 ishte një nga gjërat më të bukura. Më pëlqeu të vishja fanellën e kombëtares gjermane.
Neuer ishte një nga protagonistët absolut të Gjermanisë në triumfin e Botërorit “Brazil 2014”, aty ku përveç trofeut, fitoi dhe çmimin si “Portieri i Kompeticionit”. Me kombëtaren e “Panzerave” Neuer numëron 124 paraqitje, nga të cilat, në 51 takime e ka mbajtur portën e paprekur.
Pozicioni i Manuel Neuer si nr. 1 i Gjermanisë u vu në pikëpyetje përpara fillimit të Kampionatit Evropian, por që atëherë ai ka vendosur të çimentojë vendin e tij në skuadrën e Julian Nagelsmann. Ndaj ndeshjes kundër Zvicrës është bërë portieri me më së shumti paraqitje në turne.