Vendosi rekord historik! Eva Buzo merr çertifikatë mirënjohje dhe një shkëmb me emrin e saj…
Eva Buzo ka hyrë në histori si sportistja e parë që ka notuar përmes Kanalit të Otrantos, duke përshkuar 90 kilometra nga brigjet e Leçes, Itali, deri në gadishullin e Karaburunit, Shqipëri. Ajo e përfundoi këtë sfidë të jashtëzakonshme në 35 orë e 17 minuta, duke nisur më 17 gusht 2024 nga San Foca dhe duke përfunduar në orët e para të 19 gushtit, pranë Kepit të Gjuzës në Karaburun.
Bashkia e Vlorës, përmes kryetarit Ermal Dredha, e falënderoi Buzon për këtë arritje historike që simbolikisht lidh dy brigjet e Adriatikut. Dredha gjithashtu theksoi përpjekjet e bashkisë për të asistuar dhe promovuar këtë ngjarje dhe njoftoi se shkëmbi ku Eva preku tokën shqiptare do të quhet “Shkëmbi Eva” në nder të saj.
Po ashtu jemi shumë krenar dhe ne… Që kemi qenë pjesë e këtij udhëtimi duke dhënë asistencën tonë, por dhe duke promovuar vlerat që ka qyteti i Vlorës… Po ashtu shkëmbi ku Eva preku në Karaburun do të pagëzohet “shkëmbi Eva”.
Në fjalën e saj emocionuese pas arritjes, Buzo shprehu mirënjohjen ndaj Bashkisë së Vlorës dhe bëri një thirrje për vajzat që merren me sport, duke theksuar rëndësinë e besimit dhe sfidave që i kanë formuar në rrugën e saj drejt suksesit:
Sot dua të flas me zërin e gjithë vajzave që merren me sport. Kam kujtime të fëmijërisë kur gjyshi im vinte në çdo aktivitet sportiv, ku unë merrja pjesë dhe plot krenari i tregoja medaljet që merrja që fëmijë. Pikërisht këto medalje më rritën kofidencën, jo vetëm në fushën e sportit, por dhe atë profesionale. Arritjet e mia sot janë rezultat i punës së madhe që kam bërë që në moshë të herët me veten. Sot jam një femër e fortë, që pëlqej sfidat dhe u them të gjithë femrave ‘forconi konfidencën, rrisni besimin dhe pranoni sfidat’