Macron në Beograd, Vuçiç i ankohet Rusisë: “Kosova po e hap urën me dhunë”!
Presidenti francez Emmanuel Macron do të vizitojë Serbinë në fund të gushtit, e pohuar kjo nga vetë kreu i shtetit serb, Aleksandar Vuçiç.
Ndalesa e Macron-it në Beograd vjen më pak se pesë muaj pasi ai e priti homologun serb me nderime në Pallatin Elize. Kjo do të jetë vizita e dytë e presidentit francez në Serbi në pesë vjetët e fundit, teksa dy shtetet po forcojnë raportet e tyre, sidomos në fushën e ekonomisë.
Të dy liderët, në deklaratat e tyre asokohe patën pohuar se një prej temave të takimit do të ishte blerja nga Serbia e avionëve luftarakë francezë, Rafale. Vuçiç e përshkroi shkurtin e vitit 2023 blerjen e avionëve të fuqishëm ushtarakë si më të madhen nga buxheti i ushtrisë serbe, me një vlerë prej 3 miliardë eurosh.
Ndërkohë, Vuçiç sot u takua me ambasadorin e Rusisë në Beograd, Aleksandr Botsan-Kharchenko, me të cilin ka biseduar për situatën në Kosovë dhe mundësinë e asaj që e përshkroi si “hapje me forcë” e urës mbi lumin Ibër. Në një postim në llogarinë e tij në Instagram, Vuçiç sqaroi se i kishte shprehur ambasadorit “shqetësimin e tij të thellë mbi pasojat e mundshme që mund t’i ketë hapja e detyruar e kësaj ure, ndërsa foli edhe për aktivitete të tjera të planifikuara sipas tij popullit serb në Kosovë”, pa dhënë ndërkohë asnjë detaj apo burim informacioni për planet që përmendi.