Edi Rama ndan videon nga Gjiri i Gramës: “Një prej plazheve perla të rivierës sonë!”
Gjiri i Gramës, në Gadishullin e Karaburunit është një ndër destinacionet e preferuara nga turistët vendas dhe të huaj në bregdetin e jugut të Shqipërisë. Kryeministri Edi Rama publikoi sot në rrjete sociale disa momente të bukura nga Gjiri i Gramës, të cilin e cilësoi si një prej plazheve perla të rivierës sonë.
Mirëmëngjes,
dhe me këto momente të bukura nga Gjiri i Gramës, një prej plazheve perla të rivierës sonë, ju uroj një fundjavë të mbarë.
Gjiri i Gramës në Gadishullin e Karaburunit, vetëm 25 km larg qytetit të Vlorës është një nga plazhet më spektakolare të jugut, me ujin e pastër kristal e natyrën e virgjër. Ai gjendet në rrëzën e shpatit perëndimor të malit Rrëza e Kanalit, në perëndim të qytezës së Orikumit në rrethin e Vlorës.
Gjiri detar futet disa qindra metra në tokë, ku formon një bregdet shkëmbor me foleza, ku ka dhe disa shpella nënujore. Peizazhi natyror është shumë tërheqës për çdo vizitor. Ky gji është përdorur shumë për mbrojtjen e anijeve nga furtuna në det. Gjithashtu ai është përdorur gjatë në antikitet si gurore. Gurorja e Gramës është mjaft e njohur që në lashtësi. Por sot ky gji i bukur detar shfrytëzohet si një plazh i vogël e intim. Drejt tij shkohet me rrugë tokësore, por edhe detare. Shfrytëzohet nga aventurierët e ujit dhe të shpellave.