Lufta në Ukrainë gjymton industrinë ajrore të Rusisë!
Pilotët dhe pasagjerët ishin të ulur në karriget e tyre, teksa avionët ishin gati të niseshin. Por, më shumë se 350 fluturime nuk u nisën, siç ishin planifikuar, nga Aeroporti Ndërkombëtar Sheremetyevo i Moskës gjatë dy ditëve të qershorit. Aeroflot, kompania shtetërore ruse e fluturimeve, që pretendon se është një nga kompanitë më të mëdha në botë të transportit ajror, mbeti pa anëtarë të ekuipazhit.
Ky informacion u publikua në kanalin Aviatorshchina në Telegram, që i përket forumit të industrisë ajrore ruse. Dhe kjo nuk ishte hera e parë që diçka e tillë kishte ndodhur. Në fund të korrikut, për shkak të mungesës së pilotëve u anuluan 68 fluturimeve të Aeroflot nga aeroporti Sheremetyevo, sipas Aviatorshchina. Disa të tjera u shtyn. Radio Evropa e Lirë ka konfirmuar, përmes burimeve të saj në industrinë ajrore ruse, se ka mungesë të paprecedent të pilotëve dhe anëtarëve të ekuipazhit. Personat me të cilët bisedoi REL-i për këtë çështje kërkuan që të mbeteshin anonimë.
Në pikun e sezonit, kur ka kërkesë të madhe dhe njerëzit janë të gatshëm të shpenzojnë para për bileta avioni, ne nuk mund ta përballojmë fluksin. Kjo është befasuese dhe tregon shumë. Nuk është vera e parë [piku i udhëtimeve] dhe ne në të kaluarën gjithmonë e kemi menaxhuar këtë situatë.
Por, situata ndryshoi më 24 shkurt 2022, me nisjen e pushtimit rus të Ukrainës. Dy vjet e gjysmë më vonë, i goditur nga sanksionet që kanë rritur kostot dhe kanë ulur fitimet, Aeroflot jo gjithmonë mund të gjejë avionë, pilotë dhe anëtarë ekuipazhi që i duhen për të operuar në mënyrë efektive, gjeti një hulumtim i realizuar nga Shërbimi rus i Radios Evropa e Lirë.
Sipas të dhënave të dhjetorit të vitit 2023:
Qeveria ruse kishte shpenzuar 1.09 trilion rubla (12 miliardë dollarë) që nga marsi i vitit 2022 për të forcuar industrinë ajrore ruse përmes subvencioneve, kredive, prodhimit të brendshëm të avionëve dhe duke marrë me qira avionët e kompanive Boeing dhe Airbus. Kështu thuhet në të dhënat e Qeverisë ruse, që janë analizuar nga agjencia Reuters.
Kur fluturimet ajrore u ndërprenë për shkak të pandemisë COVID-19 më 2020-21 dhe më pas nisi pushtimi i Ukrainës, sipas një eksperti të sigurisë ajrore, kompanitë ajrore ruse reduktuan oraret e pilotëve, përfshirë edhe të pilotëve “të shtrenjtë” me përvojë. Kompanitë, po ashtu reduktuan apo hoqën trajnimet për avionët e huaj, që sipas të dhënave të fundit qeveritare të prillit të vitit 2022, përbënin dy të tretën e avionëve të pasagjerëve civilë në Rusi.
Pasi Boeing dhe Airbus reduktuan biznesin me kompanitë ruse, në qershor të vitit 2022 Qeveria miratoi një program për të furnizuar kompanitë ajrore ruse me 1.036 avionë të prodhuar në Rusi deri në pjesën e parë të vitit 2030, që shtyri kompanitë të ndryshonin trajnimet, në mënyrë që pilotët të trajnoheshin për avionët Superjets, të prodhuar në Rusi.