Dekretohen rektorët e rinj, Presidenti Begaj: Universitetet duhet të jenë vende ku ndriçon dija, detyra juaj…
Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, dekretoi rektorët e rinj, që u zgjodhën disa javë më parë në zgjedhjet që u zhvilluan në universitetet e vendit.
Në fjalën e tij, kreu i Shtetit, foli për sfidat me të cilat rektorët duhet të përballen.
Roli dhe misioni juaj bazik është t’iu ofroni studentëve shijen e mësimit, kuriozitetin dhe zbulimin, dhe unë mendoj se disa nga sfidat që do të kërkojnë përgjigje në detyrën tuaj të re sot dhe në të ardhmen janë:
Cili do të jetë kontributi real i teknologjive të reja të informacionit dhe komunikimit në mësimdhënie?
Si do t’i përshtaten dhe çfarë përdorimi duan t’i bëjnë në të ardhmen universitetet tona teknologjisë digjitale, inteligjencës artificiale?
Mbi të gjitha, cilat programe studimi do të jenë prioritet për studentët tanë, ku përshtatshmëria ndaj një bote që ndryshon vazhdimisht duhet të jetë thelbësore?
Personalisht, e kuptoj pozitën ku ndodheni. Të jesh sot rektor universiteti është përgjegjësi e madhe. Interesi publik për përmirësimin e cilësisë së arsimit duhet parë si nxitje për veprim.
– Përballë jush qëndrojnë pritshmëritë e studentëve, prindërve dhe mbarë shoqërisë shqiptare për universitete dhe institucione të larta arsimore që përgjigjen ndaj kërkesave të kohës;
– Përballë jush qëndron nevoja imediate e shoqërisë sonë për përgatitjen e profesionistëve dhe intelektualëve që do të plotësojnë nevojat që ka shoqëria jonë për zhvillim sot dhe nesër;
– Përballë jush qëndron studenti që dëshiron edhe shkollimin, edhe garancinë për punësimin;
– Përballë jush qëndron konkurrenca e fortë që vjen nga një treg global i arsimit të lartë.
Megjithatë të jesh sot rektor është edhe një mundësi e jashtëzakonshme të bëhesh faktor pozitiv ndryshimi, shtoi Presidenti.
Të kontribuosh në një sektor jetik, sepse arsimi i lartë në veçanti lidhet ngushtë me përparimin tonë si komb, që ne si shqiptarë të jemi të nxënë pranë dijes. Sot ju keni mundësi të lini gjurmë në historinë e arsimit shqiptar. Suksesi juaj do të matet me vështirësinë e sfidave me të cilat do të përballeni.
Unë ju inkurajoj që në përmbushjen e detyrës suaj të vendosni jo vetëm mendjen, por edhe shpirtin. Shpirtin e shqiptarit që, ndonëse me mund, i tejkalon sfidat, që e do profesionin, e do atdheun, e do të mirën dhe të bukurën. Niveli i arsimit të lartë pasqyron jo vetëm shkallën e zhvillimit të shoqërisë, por edhe kushtëzon, në një farë mënyrë, çdo veprimtari tjetër shoqërore.
Në këtë kontekst, ju, të nderuar rektorë, jeni thelbësorë. Ju keni përgjegjësinë dhe privilegjin të krijoni kushtet ku rinia shqiptare mund të shfrytëzojë plotësisht potencialin e vet human dhe profesional.
Është detyra juaj të siguroni që universitetet tona të jenë vende ku ndriçon dija, ku studentët të frymëzohen dhe motivohen, ku nxitet liria akademike, ku rritet cilësia e mësimdhënies, ku kultivohet, përmirësohet dhe promovohet kërkimi shkencor, ku krijohet një mjedis që nxit mendimin kritik, krijimtarinë dhe inovacionin.
Në kohën kur një pjesë e mirë e studentëve tanë preferojnë të shkollohen jashtë, duhet të krijojmë mundësi të barabarta dhe stimuluese këtu, në vendin tonë. Ndaj, ju inkurajoj të punoni për t’i bërë universitetet tona më tërheqëse, duke ofruar kushte dhe mundësi që të rinjtë tanë të mos ndihen të detyruar të kërkojnë suksesin jashtë vendit.
Universitetet tona duhet të jenë në pararojë të hulumtimeve akademike duke siguruar cilësi të lartë në çdo aspekt të veprimtarisë së tyre. Në një epokë ku njohuritë dhe teknologjitë e reja ndryshojnë me një ritëm të paprecedentë, është detyrë e universiteteve tona të jenë në krye të këtyre ndryshimeve duke kontribuar në zhvillimin shkencor dhe teknologjik të vendit.
Ndërtoni mbi sukseset e deritanishme dhe përvojat pozitive. Nisma si ndërkombëtarizimi i universiteteve, shkëmbimi i studentëve dhe ekipeve të pedagogëve dhe administratës është një shembull i mirë. Shkëmbimi i eksperiencave të mira në mësimdhënie dhe kërkim shkencor ndikon drejtpërdrejt në rritjen e cilësisë në universitetet tona.
Ligji për arsimin e lartë dhe kërkimin shkencor i jep një dimension të ri konceptit të lirisë akademike dhe financiare. Përdoreni këtë për të krijuar lidhje më organike midis studimeve dhe nevojave të tregut të punës. Fakti që kemi ende studentë të diplomuar që nuk gjejnë punë në degën e tyre të studimit, duhet të na bëjë të shohim mundësinë e përmirësimit të sistemit duke prezantuar kurrikula të reja të programeve të studimit. Ndryshe, çfarë vlere ka diploma e universitetit për një student që nuk shfrytëzon dot njohuritë e përftuara?!
Përshtatja me tregun duhet shoqëruar edhe me lehtësimin e hapave të kalimit nga jeta studentore në jetën e punës. Tranzicioni, si përkufizim, është periudhë e vështirë, sidomos kur del nga bankat e shkollës dhe drejtohesh drejt të panjohurës. Të gjithë e dimë se sa ndryshe është jeta në punë. Ndaj, ju nxis të shihni mundësinë e promovimit të praktikave në punë duke i bërë ato më tërheqëse dhe më të thjeshta për t’u realizuar.