Bazeli zgjidhet si qyteti pritës i “Eurovision 2025”!
Bazeli në Zvicër do të jetë qyteti pritës i Eurovision Song Contest. Pas fitores së këngëtarit zviceran Nemo në Malmö në konkursin e këtij viti në Suedi me këngën e tyre ‘The Code’, vendi mori përsipër detyrat e pritësit për vitin 2025. Është hera e tretë që Zvicra fiton konkursin, pas Lys Assia në 1956 dhe Céline Dion në 1988. Transmetuesi pritës SRG SSR dhe EBU do të presin konkursin e 69-të të këngës në Eurovision në maj 2025.
Sipas gazetës norvegjeze VG, gjashtë vende që u kualifikuan në finalen e madhe të Eurovizionit donin të tërhiqeshin nga gara deri në 25 minuta para fillimit të festivalit, në mesin e tyre edhe Zvicra që fitoi Eurovisionin. Vendet e tjera që po ashtu kërcënuan ta lënë garën ishin Irlanda, Portugalia, Norvegjia, Greqia si dhe Mbretëria e Bashkuar. Greqia mohoi se kishte kërcënuar të tërhiqej.
Nëse do të tërhiqeshin të gjitha këto shtete, finalja do të mbahej me 19 vende, derisa producentëve do t’ju duhej të mbushnin 20 minuta të organizimit. Arsyet për këtë mbeten të paqarta dhe nuk ka pasur sqarim të qartë, megjithatë flitet se ka të bëjë diçka me pjesëmarrjen dhe sjelljen e stafit të ekipit përfaqësues të Izraelit. Njëri prej avokuesve më të zëshëm për t’u tërhequr nga eventi ishte Magnus Bormark, një anëtar i grupit norvegjez Gate. Ai tha se:
Ne kemi menduar të tërhiqemi deri në momentin e fundit. Shumë prej nesh reaguan ndaj faktit që Izraeli pati mundësinë të përdorte Eurovizionin si mjetin e tij politik. Pika jonë e përbashkët ishte se ne nuk donim të merrnim pjesë në Eurovision për t’u përdorur dhe stigmatizuar në një makinë propagande lufte në Izrael. Ne morëm pjesë për të krijuar një hapësirë ku mund të bashkohemi në muzikë në një situatë politike ku të gjithë zgjedhin anët dhe urrejnë njëri-tjetrin.
Nemo, fituesi i edicionit të 68-të të Eurovision Song Contest, i cili tërhoqi vëmendjen duke u deklaruar si person jo-binar (i papërcaktuar në gjini), u bëri thirrje autoriteteve zvicerane të njohin një gjini të tretë, gjininë asnjanëse. “Nuk ka gjini të tretë në Zvicër dhe mendoj se kjo është krejtësisht e papranueshme. Ne duhet ta ndryshojmë këtë”-tha ai.
Gazetarët më pas e pyetën se kë do të telefononte të parin pasi të fitonte, ai u përgjigj se do të telefononte Beat Jans, ministrin zviceran të drejtësisë. “Ne duhet të përfaqësohemi edhe në politikë. Është vërtet e rëndësishme që njerëzit të ndihen të pranuar”-tha ai, duke shtuar se shpreson të organizojë një takim me ministrin për të diskutuar të drejtat e njerëzve jo-binarë.