Sezoni i ri në TAR kthehet plot energji dhe risi…

vovalbania August 31, 2024 0 koment 4 Mund të lexoni në minuta.
Sezoni i ri në TAR kthehet plot energji dhe risi…

Shatori po vjen dhe bashkë me të Top Albania Radio do të nisë sezonin e ri me shumë programe dhe risi. Pas një periudhe të nxehtë vere, i kemi marrë të gjitha energjitë që të sjellim te ju më të mirën, ashtu siç vetëm TAR di të bëjë…

Për t’ju informuar në kohë reale, gjithçka çfarë ndodh në vend, rajon dhe botë, spikerët dhe gazetarët e TAR, do të jenë për ju çdo 60 minuta duke filluar që nga 2 shtatori, nga ora 08:00 deri në 22:00.

Nëse dita juaj nis herët, Top Albania Radio e nis bashkë me ju me “Wake Me Up”. Muzika më mirë e të gjitha rrymave dhe kohërave, për t’u zgjuar me ritëm në pikë të mëngjesit gërshetuar me informacionet e pritshme të ditës nga redaksia e informacionit në Top Albania Radio. Plus, Almanaku, Horoskopi, Bursa. E vetmja gjë që duhet të bëni vetë është kafja.

Mëngjesi në Top Albania Radio fillon me ‘Wake Up’. Programi i njëkohshëm radio-televiziv i Top Channel e Top Albania Radio, në thelb ka përcjelljen e informacionit më të nevojshëm për mëngjesin. Programi nis analizat mbi lajmet e pritshme gjatë ditës, këmbimin valutor e parashikimin e motit. “Wake Up” vjen e thellohet me bisedat e mëngjesit me të ftuarit në studio. Bisedat janë përqëndrimi i mendimit e analizës apo i informacionit mbi gjithçka duke nisur nga politika, jeta e përditshme urbane e deri tek arti, spektakli dhe personazhet më interesante në vend. Zgjimi në “Wake Up” është ritmik dhe me buzëqeshje. Gjatë tre orëve të transmetimit, veç informacionit tipik mëngjezor që tërheq vëmendjen e dëgjuesve dhe shikuesve, muzika e programit mbetet një nga armët e forta që prek te gjitha gjeneratat e audiencës dhe dëshiron që të jetë kolona zanore e çdokujt, që në nisje të ditës.

Çdo gjë që ndodh rreth e qark nesh, drejtëpërdrejtë nga kryeqyteti. Revista ditore e ndodhive brenda dhe jashtë vendit vjen e trajtuar 360 gradë nga Top Albania Radio me të ftuar në studio, lidhje direkte dhe komunikim direkt me dëgjuesit përmes rrjeteve sociale. 15 vite pas themelimit #lft është shoqëruesi ideal kur jeni në lëvizje, për të dëgjuar muzikë të mirë si edhe për të dëgjuar intervistat me protagonistët e ditës si dhe temat që zgjojnë debat.

Votuar programi më i dëgjuar në Radio, #1Këngëxty vjen më përfshirës se kurrë! Programi më i vjetër i Top Albania Radio është akoma sot programi më i dëgjuar në radiot shqiptare edhe pse të dëgjosh një këngë në radio nuk është më e vetmja mënyrë për të dëgjuar muzikën që do në ditët e sotme. Në Një këngë për ty rikthehen telefonatat direkte me dëgjuesit të cilët do të tregojnë copëza të ditës së tyre veç kërkesës muzikore. Gjithaq publiku mund të komunikojë përmes WhatsApp Voice Messages, SMS, Social Media etj. Lojërat dhe Quizzet e bëjnë trafikun më pak të padurueshëm, prandaj bëhuni dhe ju pjesë e programit!

Mëkati profesional na thërret në ndërgjegje që t’i themi disa të vërteta në realitetet e veta. Të vërteta që mund të jenë njëherësh tragjike, herë herë dramatike, por brenda fshehin edhe pjesën e tyre komike. Top Albania Radio sjell disa prej ngjarjeve që shënjojnë politikën, ekonominë, aktualitetin, artin dhe sportin në një këndvështrim me titull “Një ngjarje dy të vërteta” duke nisur nga data 8 shtator.

Për kinema-dashësit tanimë ju e dini programin dedikuar posaçërisht për ju! @ The Movies vjen  për t’ju informuar mbi filmat më të rinj, ngjarjet e fundit nga protagonistët tuaj të preferuar, recensionet e filmave, shoqëruar nga kolonat zanore të paharrueshme që zgjojnë kujtime rrënqethëse çdo të premte nga ora 14:00 – 15:00 duke nisur nga data 6 shtator.

Emisioni më i kërkuar nga të gjithë fanatikët e sportit. Glent Nallbani, Edi Manushi, Redi Jupi, Lorenc Jemini dhe Gëzim Sinemati mendojnë për të gjithë ju dashamirës të futbollit duke sjellë “Pasó”, emisionin që do t’ju ndjekë çdo të premte në orën 18 nga data 6 shtator në frekuencën e radios tuaj të preferuar, vetëm në Top Albania Radio.

Lancio është një tjetër emision që ka nisur të transmetohet që në fillimet e Top Albania Radio. Qëllimi i këtij show radiofonik është promovimi i muzikës ndërkombëtare dhe asaj shqiptare. Njëkohësisht në thelb të këtij emisioni qëndron edhe pasurimi artistiko-kulturor i dëgjuesve. Informacionet mbi karrierën apo zhvillimet e aktiviteteve ndërkombëtare të artistëve janë ta pamunguara. Lancio është rrjeta e informacioneve të fundit të muzikës më të mirë të momentit.

Kozeta Kurti, një nga “pioneret” e para të radiove private në Shqipëri, që në fund të viteve ‘90-të, kthehet në Top Albania Radio pas 17 vjetësh me “Back to the Beginning”. Ky format e nisi rrugëtimin edhe në 2020-ën, fiks në të njëjtën periudhë me pandeminë globale “Covid 19”-të, por me sa duket kjo është koha e duhur. Jo vetëm Kozeta, por edhe të ftuarit e saj do ta kthejnë kohën pas, si çantë shpine, në fillimet e tyre, midis qindra kujtimesh. “Për të kuptuar ku po shkon, kujto nga erdhe”.

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 63941 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE