7.2 milionë turistë gjatë periudhës Janar-Gusht 2024, Rama-kritikëve: Ata kalorës të vrerosur të luftës me qeverinë…
7.2 milionë turistë kanë hyrë nga Rinasi gjatë periudhës Janar-Gusht 2024.
Ndërsa e konsideron një boom turistik, kryeministri Edi Rama thekson se në të njëjtën periudhë të vitit të shkuar numri i tyre ishte 4 milionë e 606.805.
Ai shprehet se muaji gusht tejkaloi çdo parashikim optimist, me 1 milionë e 251.467 pasagjerë 41% më shumë se sa gushti i shkuar.
Në postimin e fundit ai ka edhe një mesazh për kritikët ku thotë se paratë që vijnë nga turistët shkojnë për qytetarët, jo për oligarkët.
Postimi i Ramës:
GUSHTI BUM
SHQIPËRIA NUK NDALET në rritjen e numrit të turistëve dhe Rinasi në gusht tejkaloi çdo parashikim optimist, me 1 milionë e 251.467 pasagjerë ose 368.456 (41%) më shumë se sa gushti i shkuar
Bilanci Janar-Gusht 2024 arrin në 7 milionë e 233.711 pasagjerë që kanë hyrë vetëm në Rinas, ku në të njëjtën periudhë të vitit të shkuar numri i tyre ishte 4 milionë e 606.805.
Ky bilanc flet për 56% rritje në vitin aktual.
Risia e këtij viti janë afro 4 mijë pasagjerë nga Japonia, rreth 4 mijë të tjerë nga Zelanda e Re, pothuajse 20 mijë nga Australia dhe 35 mijë nga Kanadaja
Ata që komentojnë ç’na duhen turistët, duhet të llogarisin se të gjithë këta miliona njerëz shpenzojnë në Shqipëri para për të fjetur, për të ngrënë, për të udhëtuar, për të blerë dhurata dhe të gjitha këto para nuk u shkojnë disa “oligarkëve”, siç i bien shkurt disa kalorës të vrerosur të luftës me qeverinë, po derdhen në arkën e buxheteve familjare të dhjetëra mijëra dhomave të dhëna me qera, të mijëra strukturave të mikpritjes në të katër anët e Shqipërisë, të mijëra e mijëra njësive të shërbimit e bizneseve të vogla.
Patjetër që një pjesë e tyre shkojnë edhe në formë taksash në arkën e buxhetit të shtetit për investime të mëtejshme e për pagat e rritura ndjeshëm, e jo padashje qeveria nuk po ndërhyn ende për të taksuar si kudo në Europë volumin e madh në rritje të dhomave të dhëna me qera, sepse ne duam që fillimisht të gjithë shqiptarët të prekin jo vetëm të mirat e këtij ndryshimi epokal në sektorin e turizmit, po edhe të kuptojnë me fakte se sa shumë mundësi akoma ka në Shqipërinë Turistike si për ata që banojnë këtu, si për ata që ngurrojnë akoma të kthehen, e si për ata që e kanë ndarë mendjen të mos kthehen por kanë një kohë të artë për të investuar në Shqipëri kursimet e tyre.