Polonia: Do të rrëzojmë raketat ruse mbi Ukrainë, para se ato të hyjnë në hapësirën e saj ajrore!
Varshava e ka “detyrë” të rrëzojë raketat ruse mbi Ukrainë, para se ato të hyjnë në hapësirën e saj ajrore, tha sot ministri i Jashtëm polak, Radoslaw Sikorski.
Polonia dhe vendet e tjera në kufi me Ukrainën e kanë “detyrë”, t’i interceptojnë raketat ruse para se të hyjnë në hapësirën e tyre ajrore, tha Sikorski gjatë një interviste për ‘Financial Times’.
Mbrojtja e hapësirës ajrore kombëtare është parësore pavarësisht kundërshtimit të NATO-s, vuri në dukje ai.
“Anëtarësia në NATO nuk tejkalon përgjegjësinë e secilit vend për mbrojtjen e hapësirës së tij ajrore është detyra jonë kushtetuese”, tha ai.
Sikorski shtoi se do të ishte vetëmbrojtje legjitime meqenëse pasi të kalojnë në hapësirën ajrore kombëtare, rreziku i mbeturinave që të lëndojnë dikë, është i madh.
Duke cituar zyrtarë ushtarakë, agjencia shtetërore e lajmeve PAP raportoi sot se Polonia ka përgatitur avionët dhe ka vënë sistemet e saj të mbrojtjes ajrore në gatishmëri, pasi Rusia nisi një sulm masiv ajror në Ukrainën fqinje gjatë natës së të hënës.
“Të gjitha procedurat e nevojshme janë nisur për të garantuar sigurinë e hapësirës ajrore polake”, ka thënë ndërkohë komanda operacionale e forcave të armatosura të Polonisë në një deklaratë, duke shtuar se po “monitoron situatën”.