Polonia mban ceremoni rivarrimi të 700 viktimave civile të Luftës së Dytë Botërore!
Mes qindra personave të masakruar në Chojnice në fillim të vitit 1945 raportohet se ishin mësues, priftërinj, policë, punonjës pyjesh e poste.
Disa dekada pas vdekjes Polonia mbajti sot një ceremoni shtetërore varrimi për më shumë se 700 viktima të Gjermanisë Naziste në Luftën e Dytë Botërore, në atë që njihet si “ekzekutimet e luginës së vdekjes” në veri të vendit.
Ceremonia e qytezës Chojnice nisi me meshën e funeralit në bazilikë, dhe më pas me nderimet ushtarake në varrezën e viktimave të nazizmit. Mbetjet ishin futur në 188 arkëmorte të vogla të drunjta, mbështjellë me ngjyrat bardhë e kuq të flamurit polak.
Në ceremoni kishte të afërm të viktimave, përfaqësues të presidentit Andrzej Duda, zyrtarë lokalë e shtetërorë, që kishin marrë pjesë në zhvarrosjet e dokumentimin e tyre.
“Ne duam kujtimet tona, dinjitetin e viktimave të krimeve të kryera në Chojnice,” tha peshkopi drejtues Ryszard Kasyna.
Mes viktimave civile raportohet se ishin dhe 218 pacientë të psikiatrisë, të cilët ishin zhvarrosur në vitet 2021-2024 nga disa varre masive në periferi të Chojnice. Dokumentet dhe sendet personale kishin ndihmuar në identifikimin e 120 prej tyre.
Historianët thonë se nazistët pak pas pushtimit të Polonisë më 1 shtator 1939, kryen një seri ekzekutimesh të civilëve me qëllim dhënien e shembullit të terrorit për nënshtrimin e vendit.
Ekspertët thonë se po vazhdojnë të kërkojnë për varre të tjera masive të kësaj epoke.