Serbët e Mitrovicës së Veriut në protestë për t’iu rikthyer institucioneve paralele!
Rreth 300 qytetarë serbë protestuan para një objekti që ishte përdorur nga disa institucione paralele serbe në Mitrovicën e Veriut teksa po përpiqen që të kthehen në punë. Ata njihen si punonjës të administratës të institucioneve paralele serbe, që Prishtina i konsideron “ilegale”.
Në këtë objekt komunal që gjendet në Lagjen e Boshnjakëve, gjendeshin institucione që financohen nga Serbia: Zyra për Kosovën, Drejtoria e Fondit për Sigurim Pensional dhe Invalidor, Qarku Administrativ i Mitrovicës së Kosovës dhe Qendra për Punë Sociale nga Vushtrria.
Protesta vjen disa ditë pasi autoritetet e Kosovës mbyllën pesë institucione paralele serbe në veri të Kosovës, përfshirë komunën paralele të Mitrovicës duke thënë se këto institucione po punonin nën udhëheqjen e Serbisë, duke “cënuar kushtetutshmërinë dhe ligjet e Republikës së Kosovës”.
Aksioni i 30 gushtit, i kryer nga institucionet e Kosovës u cilësua si “veprim i njëanshëm” dhe i pakoordinuar nga bashkësia ndërkombëtare e po ashtu u kundërshtua nga Lista Serbe, partia kryesore e serbëve lokalë në Kosovë që ka mbështetjen e Beogradit, si dhe nga zyrtarët në Serbi.
Shefi i Policisë së Kosovës për rajonin e Ferizajt, Petrit Fejza, tha për Radion Evropa e Lirë se mbyllën këtë objekt më 30 gusht, pas dyshimeve se në të kishte dokumente false.
Punonjësit që thanë se tubimi i tyre nuk është protestë, deklaruan se në këtë objekt, për vite të tëra kanë ofruar shërbime për qytetarët. Por, Fejza shtoi se ata nuk do të lejohen të hyjnë brenda objektit derisa autoritetet të kryejnë hetime.
Në afërsi të vendit ku serbët u mblodhën mëngjesin e sotëm u panë edhe pjesëtarë të njësive speciale të Policisë së Kosovës, si dhe dy automjete të Misionit të Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX).
Në Kosovë ka komuna, kompani e ndërmarrje publike, çerdhe, shkolla fillore, të mesme e universitete publike që financohen drejtpërdrejt nga Qeveria e Serbisë. Ato gjenden në qytetet dhe vendbanimet ku jeton komuniteti serb. Sipas ligjeve në Kosovë, këto institucione janë ilegale.
Më 2013-ën, në dialogun për normalizimin e raporteve në Bruksel, Kosova dhe Serbia patën arritur një marrëveshje për shuarjen e institucioneve paralele, por kjo marrëveshje, ende nuk është zbatuar plotësisht.