Sesioni i ri parlamentar nis me konsensus, Spiropali pas mbledhjes së Konferencës së Kryetarëve: Ogur i mirë…
Sesioni i ri parlamentar nisi me konsensus mes PD dhe PS.
Në Konferencën e Kryetarëve u miratua Programi dhe Kalendari i Punës së Kuvendit për javët e ardhshme.
Ndërsa drejtoi për herë të parë mbledhjen e Konferencës së Kryetarëve, kryeparlamentarja Elisa Spiropali e konsideroi një ogur të mirë për fillimin e sesionit të ri parlamentar ecurinë e mbledhjes.
“Në Konferencën e Kryetarëve miratuam Programin dhe Kalendarin e Punës së Kuvendit për javët e ardhshme.
Konsensusi i arritur në këtë mbledhje të parë le të jetë një ogur i mirë për fillimin e sesionit të ri parlamentar”, shkruan Spiropali.
Fjalimi i kryetares së Kuvendit, Elisa Spiropali do të çelë seancën e parë të këtij sesioni parlamentar sot në orën 17:00.
Seanca pritet të jetë e shkurtër, por do të reflektojë qëndrimet e palëve për disa nga temat kryesore të debatit politik gjatë muajve të ardhshëm.
Veç Kryetares së Kuvendit, sot pritet të marrin fjalën edhe Niko Peleshi, Gazment Bardhi, Mesila Doda dhe Agron Duka në cilësinë e krerëve të Grupeve Parlamentare.
Pas seancës së të hënës, e radhës është ajo e 12 shtatorit, ku priten dy vendime të rëndësishme sa i përket mandatit të deputetëve socialist Olta Xhaçka dhe Vullnet Sinaj.
Mocioni për mandatin e deputetit Sinaj do të shqyrtohet nga Këshilli për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin në një mbledhje të thirrur në datën 4 shtator.
Ndërkohë, sa i përket punimeve të komisioneve parlamentare, në javën e parë të shtatorit është caktuar deri më sot vetëm mbledhja e komisionit për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik, që pritet të mbahet më 3 shtator.