I dënuar me 20 vite burg për trafik droge, arrestohet në Elbasan 54-vjeçari (EMRI)
Një 54-vjeçar i shpallur në kërkim për trafik droge dhe i dënuar me 20 vite burgim, është arrestuar nga polica e Elbasanit.
Mësohet së në pranga ka rënë shtetasi Agron Çakalli, i cili është dënuar për veprat penale “Trafikimi i lëndëve narkotike” dhe “Kultivimi i bimëve narkotike”.
Sipas policisë, 54-vjeçari në vitin 2016 është dënuar më burgim të përjetshëm nga Gjykata e Apelit për Krimet e Renda Kretë, Greqi.
Ndërkohë, Gjykata e Apelit e Juridiksionit të Përgjithshëm e ka njohur këtë vendim penal dhe me vendimin e datës 17.04.2024, ia ka konvertuar dënimin Agron Çakalli në 20 vjet burgim.
Njoftimi i policisë:
Elbasan/Vijon me intensitet zbatimi i masave të përcaktuara në planin operacional mbarëkombëtar “Sundimi i ligjit”.
Finalizohet operacioni policor i koduar “Convert”.
I dënuar me 20 vjet burgim, për veprimtari kriminale në fushën e narkotikëve, kapet dhe vihet në pranga 54-vjeçari.
Komisariati i Policisë Elbasan, në vijim të operacioneve për kapjen e shtetasve të shpallur në kërkim, të cilat zhvillohen në kuadër të megaoperacionit policor të koduar “Sundimi i ligjit”, bazuar në inteligjencën policore për vendndodhjen e një shtetasi në kërkim, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Convert”.
Si rezultat i operacionit u kap dhe u ndalua shtetasi në kërkim Agron Çakalli, 54 vjeç, banues në Elbasan.
Këtë shtetas, Gjykata e Apelit për Krimet e Renda Kretë, Greqi, me vendimin e datës 02.12.2016, e ka dënuar me burgim të përjetshëm, për veprat penale “Trafikimi i lëndëve narkotike” dhe “Kultivimi i bimëve narkotike”.
Gjykata e Apelit e Juridiksionit të Përgjithshëm e ka njohur këtë vendim penal dhe me vendimin e datës 17.04.2024, ia ka konvertuar dënimin, shtetasit Agron Çakalli, në 20 vjet burgim.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan, për veprime të mëtejshme.