Konsensus në Komisionin Hetimor për Shëndetësinë!
Dakordësi mes palëve në të parën mbledhje të Komisionit Hetimor të Shëndetësisë, pas zgjatjes së afateve me tre muaj. Pa debate, maxhoranca e opozita ranë dakord për shkresat e informacioneve dhe listën e re të dëshmitarëve.
Hetimi parlamentar do të vijojë për koncesionet e Sterilizimit e Check Up-it ndërsa në listën e dëshmitarëve u vendosën edhe ish-ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj, ish-zv.ministri Klodian Rrjepaj, biznesmeni i Sterilizimit, Ilir Rrapaj e 6 persona të tjerë nën hetim nga SPAK-u.
Për t’i marrë në pyetje, duhet që Komisioni t’i drejtohet SPAK-ut për leje. Beqaj ndodhet në qeli për abuzimet me fondet e SASPAC-ut në kohën kur ishte në krye të agjencisë. Ndërkohë, në burg ndodhet edhe Rrapaj e zv.ministri Rrjepaj, të dy për koncesionin e Sterilizimit.
Procedura për të kërkuar leje merr kohë, ndaj për dëshminë e Beqajt u caktua 9 tetori e për Rrjepajn, 20 shtatori. Për biznesmenin ende nuk është caktuar një datë, por dëshmitë e tyre varen nga autorizimi i Drejtësisë.
Nga e hëna do të niset me dëshmitë. Në listë janë ish-drejtorët e QSUT-së, Enkel Joti e Albana Fico, si edhe drejtoresha aktuale Alma Cani. Kryetarja Albana Vokshi njoftoi se janë dakordësuar që të jenë dhe ish-drejtorët e spitaleve rajonale Durrës, Shkodër, Elbasan, Vlorë, drejtori i Koço Gliozhenit, Geni Hyka dhe ish-drejtori i Traumës, Arben Zeneli. Në listë janë dhe anëtarët e grupit të punës së Check Up-it e 4 mjekë.
Lista e dëshmitarëve. Këtë e kemi diskutuar dje gjatë, në mbledhjen e kryesisë dhe jemi dakordësuar që meqë një pjesë e materialeve nga SPAK-u sa i përket Check Up-it e që arrijnë deri në vitin 2019, ka ardhur vetëm disa ditë para, kemi vendosur që ta nisim me ata persona në listën e dëshmitarëve që nuk preken nga mungesa e këtij informacioni.
Propozimi është që të thërriten ish-drejtorët e QSUT-së, drejtoresha aktuale, ish-drejtoresha e spitalit Durrës, Traumës, Shkodrës, Elbasanit, Vlorës, drejtori i “Koço Gliozhenit”, anëtarët e grupit të punës së Check Up-it, kanë qenë disa mjekë dhe mjekët që i kishim në listë para se të mbyllej sesioni i kaluar, por nuk e bënë dot dëshminë, u shpreh Vokshi.