Llatja, bisedime me Kurum: Pagë e plotë për çdo punonjës që vazhdon punën!
Kryetari i Bashkisë së Elbasanit, Gledian Llatja, sot zhvilloi një takim me drejtues të kompanisë Kurum për të diskutuar për çështjen e 500 punonjësve të larguar nga puna. Pas mbledhjes me drejtuesit e kompanisë, Llatja tha se u arritën disa dakordësi për punonjësit.
Sipas tij, kjo situatë është e përsëritur, kompania ka ndaluar prodhimin, por punëtorët nuk janë larguar nga puna. Kreu i bashkisë theksoi:
Çdo punëtor në Uzinën e Çelikut do të vazhdojë punën dhe do të trajtohet me pagesë të plotë. Të gjithë punonjësit e tjerë do të trajtohen me pagë 35 mijë lekë e me afat të pacaktuar derisa të nisë prodhimi. Për uzinën e Petëzimit morëm garanci se do të hapet brenda këtij viti kalendarik.
Kurum, njoftoi disa ditë më parë largimin nga puna të 500 punonjësve dhe kjo me argumentin e rritjes së kostove e të vështirësive ekonomike, po ashtu. Sipas kompanisë, punonjësit janë larguar me kushtin e trajtimit financiar 3-mujor, si dhe me mundësi rikthimi në rast të rihapjes së fabrikave.
Ndërkohë, kompania turke Kurum e cila operon në zonën e ish-Kombinatit Metalurgjik në Elbasan, dyshohet se është origjina e qindra tonëve mbetje të rrezikshme të nisura nga Porti i Durrësit dhe me destinacion Tajlandën.
Mbetjet e rrezikshme janë pluhur nga hiri i oxhaqeve metalurgjike, të ngjashme me ato që Kurum përdor prej gati një dekade.