Udhëheqës të Hamasit nën akuzë në Amerikë për sulmin e 7 tetorit në Izrael!
Departamenti i Drejtësisë njoftoi ngritjen e akuzave penale ndaj liderit të Hamasit, Yahya Sinwar dhe militantëve të tjerë, në lidhje me vrasjet e 7 tetorit të vitit të kaluar në Izrael. Në dokumentet e dorëzuara në një gjykatë federale në qytetin e Nju Jorkut, përfshihen akuzat për komplot për të ofruar mbështetje materiale për një organizatë të huaj terroriste, që rezultoi në viktima.
Akuzat e shpallura janë vetëm një pjesë e përpjekjeve tona për të goditur çdo aspekt të operacioneve të Hamasit, tha përmes një video-deklarate, Prokurori i Përgjithshëm Merrick Garland. Këto veprime nuk do të jenë të fundit.
Akuzat vijnë ndërsa Shtëpia e Bardhë po punon me Egjiptin dhe Katarin për një propozim të ri, në përpjekje për të arritur një marrëveshje mes Izraelit e Hamasit për t’i dhënë fund luftës gati 11-mujore në Rripin e Gazës. Propozimi përfshin lirimin e pengjeve që ende po mbahen nga Hamasi.
Një zyrtar amerikan, i cili foli në kushte anonimiteti, i tha agjencisë së lajmeve Associated Press se nuk ka asnjë arsye për të besuar se akuzat do të ndikonin tek negociatat. Zëdhënësi i Sigurisë Kombëtare, John Kirby tha se “ekzekutimet” e fundit të gjashtë pengjeve, mes tyre amerikani Hersh Goldberg-Polin nga Hamasi “theksojnë nevojën për veprime urgjente” në bisedime.
Yahya Sinwar u emërua udhëheqës i përgjithshëm i Hamasit pas vrasjes së drejtuesit të mëparshëm të kësaj organizate, Ismail Haniyeh në Iran e është në krye të listës së personave më të kërkuar të Izraelit. Besohet se e ka kaluar pjesën më të madhe të 10 muajve të fundit duke jetuar në tunele në Rripin e Gazës dhe nuk është e qartë se sa kontakt ka me botën e jashtme.
Në mesin e udhëheqësve të tjerë të Hamasit të përfshirë në këtë aktakuzë janë edhe Haniyeh (tashmë i vrarë), nënkryetari i krahut të armatosur të Hamasit në Gaza, Marwan Issa, i cili ndihmoi në planifikimin e sulmit të vitit të kaluar, ndihmësi i ish-udhëheqësit Haniyeh, Khaled Mashaal dhe ish-drejtuesit e grupit Mohammed al-Masri e Ali Baraka.
Në sulmin e 7 tetorit 2023 në Izraelin jugor nga militantët e Hamasit, që Shtetet e Bashkuara e kanë shpallur organizatë terroriste, u vranë 1200 njerëz dhe u morën peng 250 të tjerë.