Lufta në Ukrainë, Kievi përballet me valë të re të sulmeve ruse!

vovalbania September 05, 2024 0 koment 1 Mund të lexoni në minuta.
Lufta në Ukrainë, Kievi përballet me valë të re të sulmeve ruse!

Mëngjesin e sotëm, autoritetet e qytetit urdhëruan banorët e Kievit që të mos largohen nga vendstrehimet teksa Rusia kreu sulme me dronë kundër kryeqytetit ukrainas. Goditjet ndaj Kievit nisën gjatë natës.

Ende janë disa dronë në hapësirën ajrore të kryeqytetit. Mos u largoni nga strehimoret, paralajmëroi qytetarët kryebashkiaku i Kievit, Vitaliy Klitschko.

Alarmet për sulme ajrore po vazhdojnë. Mbrojtja ajrore po punon në kryeqytet. Qëndroni në vendstrehime derisa të ndalen alarmet, këshilloi banorët kreu i administratës ushtarake të Kievit, Serhiy Popko.

Ushtria ukrainase tha se edhe në disa rajone të tjera, përfshirë Çernihivin dhe Sumin, po sulmohen me dronë nga Rusia, që nisi pushtimin e Ukrainës në shkurt 2022.

Në një tjetër zhvillim, Rusia tha se do të ndërmarrë masa hakmarrëse ndaj mediave amerikane si përgjigje kundër akuzave të Shteteve të Bashkuara për drejtuesit e mediave ruse dhe transmetuesin shtetëror, Russia Today (RT), që Uashingtoni i akuzon se po tentojnë të ndikojnë në zgjedhjet presidenciale të nëntorit.

Një ditë më parë, Amerika ngriti akuza për pastrim parash ndaj dy punonjësve të RT-së për atë që zyrtarët thanë se ishte një skemë për të punësuar një kompani amerikane që të prodhojë përmbajtje online për të ndikuar në zgjedhjet e vitit 2024.

Po ashtu, Uashingtoni njoftoi për veprime që shënjestrojnë RT-në, përfshirë kryeredaktoren Margarita Simonyan. Zyrtarët amerikanë thanë se qëllimi i Rusisë është të krijojë përçarje politike në SHBA dhe të dobësojë mbështetjen e publikut amerikan për ndihmën për Ukrainën, e cila po përballet me luftën e nisur nga Rusia.

Ministria e Jashtme e Rusisë tha se lëvizjet e SHBA-ve ishin pjesë e një plani për të mbytur çdo zë kundërshtues nga peizazhi mediatik e për të nxitur frikë në mesin e votuesve amerikanë lidhur me Rusinë, duke e paraqitur si një armike mitike të jashtme.

Kur autoritetet ndërmarrin veprime të tilla primitive për të ndikuar te votuesit e tyre, kjo paraqet rënie të demokracive liberale, tha zëdhënësja e MPJ-së ruse përmes një deklarate. Do të ketë përgjigje.

Reporterët pa Kufij e listojnë Rusinë në vendin e 162-të nga 180, sa i përket lirisë së medias. Amerika renditet e 55-ta. Që nga nisja e pushtimit rus të Ukrainës, Rusia ka shtrënguar kontrollin mbi informacionin dhe mediat, duke detyruar shumë prej tyre që t’i mbyllin zyrat në Rusi. Moska, po ashtu, i ka shpallur shumë gazetarë dhe aktivistë si “agjentë të huaj”.

 

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 65098 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE